E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Në Shqipëri vazhdon të shkelet e drejta e pronës private”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka pranuar se në Shqipëri vazhdon të shkelet një ndër të drejtat themelore të njeriut, e drejta e pronës private. Megjithëse kthimi i pronës tek i zoti dhe kompensimi i ish-pronarëve ka qenë një ndër objektivat e programit të Partisë Demokratike, sipas kryeministrit ende nuk është realizuar ky premtim. Ndërsa ka përshëndetur 60-vjetorin e Deklaratës universale të OKB-së për Të Drejtat e Njeriut, Berisha ka dënuar regjimin komunist në Shqipëri si dhe ka renditur disa nga problematikat me të cilat ndeshen në ditët e sotme qytetarët shqiptarë.
Problemet
“Probleme ekzistojnë edhe në procesin e kthimit të pronave”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi që të bëhen përpjekje për mbrojtjen e së drejtës së pronës si një e drejtë themelore e qytetarëve shqiptarë. Ndër të tjera, ai veçoi si problematike dhunën që ushtrohet në burgje dhe në paraburgime. “Përsëri ka qytetarë shqiptarë që përfaqësuesit e shtetit i keqtrajtojnë në paraburgime apo burgje, madje edhe i torturojnë. Përsëri standardet në institucionet tona të vuajtjes së dënimit nuk janë ato që duhet të jenë”, - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi se qeveria do të marrë masa që të përmirësohet situata në këto institucione. Kryeministri gjithashtu cilësoi si shkelje të të drejtave të njeriut dhe dhunën që ushtrohet nga zyrtarë me imunitet ndaj gazetarëve. “Përsëri ka zyrtarë me imunitet që rrahin shtazërisht në publik gazetarët dhe mbrohen nga organi i akuzës e nuk përballen me ligjin. Ka pronarë mediash dhe politikanë që dhunojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve, ka qytetarë shqiptarë që duhet të paguajnë lekë për shërbimin shëndetësor që u takon falas dhe për të marrë vendimin ligjor që u takon”, - tha kreu i qeverisë. Më tej, Berisha premtoi se qeveria do të ndërmarrë masa serioze për respektimin e të drejtave të njeriut të vend. “Ne do të bëjmë çdo gjë për të ndryshuar me shpejtësi standardet ekzistuese. Do të bëjmë çdo përpjekje që të ndëshkohet në mënyrë të merituar ai që guxon të përdorë dhunën në këto institucione. Ne jemi një vend i lirë dhe ligjet e këtij vendi janë të qarta dhe të përcaktuara dhe kjo është një fushë sensitive”, - tha kreu i qeverisë, ndërsa theksoi si domosdoshmëri rritjen e rolit të Avokatit të Popullit në mënyrë që ky institucion të ketë mundësinë e monitorimit të shoqërisë shqiptare dhe të luftojë shkeljen e të drejtave të njeriut. Në përfundim, kryeministri Berisha u ndal edhe te mbrojtja e lirive dhe të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri duke bërë të ditur se ka pasur përmirësim dhe është rritur vëmendja ndaj këtij komuniteti.
Regjimi komunist
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha dënoi shkeljen e të drejtave të njeriut që i është bërë qytetarëve shqiptarë gjatë regjimit komunist. Ai tha se në 60-vjetorin e deklaratës universale të të drejtave të njeriut Shqipërisë i takon më shumë se çdo vend që të festojë. “Sot, Shqipëria, Ballkani dhe Europa, kremtojnë këtë ditë më të lirë se kurrë në historinë e tyre. Shqiptarët duhet ta kremtojnë këtë ditë më shumë se çdo komb tjetër, pasi përjetuan diktaturën komuniste më të egër në të gjitha vendet e tjera. Një seri diktaturash të urryera janë fshirë nga faqja e dheut. Sllobodan Millosheviçi u përball me drejtësinë ndërkombëtare, të tjerë kriminelë lufte po përballen në tërësi. Ky është një bilanc thellësisht pozitiv. Disa vende të Europës, gjatë këtyre dekadave, kanë përjetuar diktatura komuniste, junta ushtarake fashiste, por regjimi i Enver Hoxhës, si asnjë regjim tjetër, privoi totalisht qytetarët e këtij vendi nga të drejtat dhe liritë themelore”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ai theksoi: “Ai regjim ndaloi me Kushtetutë fjalën e lirë, lëvizjen e lirë, besimin te Zoti dhe pronën e qytetarëve”. Kryeministri solli në vëmendje se regjimi komunist ekzekutoi pa gjyqe apo me farsa gjyqësore politike dhjetëra mijëra qytetarë të pafajshëm, vetëm e vetëm për fjalën e lirë, besimin e tyre te Zoti, vokacionin e tyre perëndimor.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›