Topalli: “Projektligji me firmat e 20 mijë zgjedhësve? Mjafton firma e një deputeti?
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka komentuar nismën më të fundit të Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve me anë të një projektligji që do të propozohet me firmat e 20 mijë zgjedhësve. Topalli tha se Kuvendi është i gatshëm që të shqyrtojë çdo nismë ligjore, përfshirë edhe projektligjin në fjalë, por ajo shtoi se do të ishte mirë nëse opozita do të ishte e pranishme në Kuvend dhe për këtë mjafton edhe iniciativa ligjore e vetëm një deputeti. “Pa dyshim që çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në Kuvend. Por do të mendoja se do të ishte më e thjeshtë, pasi në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, nuk kishin fare nevojë t’i lodhnin shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputeti për t’u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese dhe ligjore respektohen dhe shqyrtohen në Kuvend”, - tha Topalli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që ajo dha me kryetarin e Senatit kanadez, Noel Kinsella, pas takimit të zhvilluar dje. Më tej Topalli pohoi se priste nga opozita që të ndërpriste bojkotin dhe të ishte e pranishme në Kuvend, duke respektuar detyrimin e saj kushtetues. “Edhe njëherë, duke iu përgjigjur pyetjes suaj, si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, pres që opozita në vijë në Parlament, pres deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme që të bëjnë misionin e opozitarit, që të jenë të pranishëm në Parlament”, - u shpreh Topalli. Edhe kryetari i Senatit kanadez, Noel Kinsella, tha se inkurajonte të gjithë deputetët që të ishin të pranishëm në Parlament. “Ne përdorim fjalën ‘parlament’, e cila vjen nga gjuha frënge ‘parlè’, që do të thotë “me fol”. Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament. Si kryetar Parlamenti unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vijnë dhe të flasin në Parlament.
13 Tetor 2009