E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi, Qeveria kundër Topit

 

ADI SHKEMBI

Ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë të gjykatave vendos edhe një-herë kundër njeri-tjetrit Qeverinë dhe Presidentin. Gati katër muaj pas një deklarate të kreut të shtetit, sipas të cilit tre të pestat e vendimeve të gjyqësorit nuk janë ekzekutuar, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i ka konsideruar të pavend deklaratat e Topit. Kreu i Drejtësisë, raportoi dje para mediave për të dhënat e vitit 2008 lidhur me ekzekutimin e vendimeve nga shërbimi përmbarimor gjyqësor. Por i pyetur lidhur me kohën kur bëhet kjo analizë dhe kritikat e bëra nga kreu i shtetit në muajin nëntor, ai theksoi se “nuk është çështje tempizimi gjetja e kohës për të divolvuar shifra dhe statistika. Sigurisht që Shërbimi Përmbarimor është institucion në varësisë të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministria është institucioni përgjegjës për të parë se sa strikt dhe korrekt me ligjin është  kjo zyrë. Ju mund të përdornin termat “sulmime” ose jo të bëra nga një institucion tjetër, presidentit, të cilat nuk i gjej me vend”. Sipas tij “unë thjesht po ju bëjë me dije se shifrat janë këto. Shifrat dalin në janar, dalin në shkurt, dalin në dhjetor dalin përditë, për muaj. Kjo është çështje që s’ka lidhje fare me kohën se kur do të duhet të bëhen publike të dhënat. Mbas një muaji ju mund të keni statistika të tjera, me realizime të tjera dhe kjo është një çështje që nuk jep asnjë lloj mesazhi”.
Analiza e 2008
Duke iu referuar të dhënave të vitit të kaluar ministri i Drejtësisë u shpreh se Shërbimi Përmbarimor ka ekzekutuar mbi 90% të vendimeve të formës së prerë. Sipas Alibeajt, 29 zyrat e Përmbarimit në të gjithë vendin kanë regjistruar në total 18.512 kërkesa për ekzekutim. “Nga ky numër total kërkesash zyrat e përmbarimit kanë në ekzekutim e sipër brenda afateve procedurale (sipas afateve te përcaktuara ne Kodin e procedurës civile) 6864 çështje. 5806 çështje janë ekzekutuar totalisht që i shtohet numrin prej 6864 çështje. 2470 çështje janë ekzekutuar duke marrë një vendim pushimi. 1050 çështje janë të pezulluara me vendim të gjykatave”, theksoi Alibeaj. Sipas tij, këto shifra janë optimiste dhe të krahasueshme me mesataren e ekzekutimit të vendimeve të gjyqësorit në vendet e Bashkimit Evropian. Kreu i dikasterit të drejtësisë bëri të ditur se rreth 1193 çështje në ekzekutim i kanë kaluar afatet e ekzekutimit. Ai bëri të ditur se për këto çështje ka filluar ekzekutimi i tyre dhe afatet procedurale kanë kaluar për shkaqe dhe rrethana që kanë dalë gjatë procesit të ekzekutimit. “Aktualisht, këto çështje janë në proces ekzekutimi. Prej përmbarueseve gjyqësor në raste të tilla është vepruar, duke vendosur gjobat përkatëse si dhe duke depozituar kallëzimet penale pranë prokurorisë. Në totalin e tyre janë rreth 100 vendime për gjoba dhe kallëzime penale”, vijoi më tej Alibeaj. Nga analiza vjetore rezulton se për rastet kur institucionet shtetërore janë debitorë janë vjelë rreth 6 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›