Topi: Skandaloze, 8868 çështje të pa ekzekutuara
Tre të pestat e vendimeve gjyqësore kanë mbetur të pa ekzekutuara. Shifrën e deklaroi Presidenti i Republikës në nëntor gjatë një takimi konsultativ mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë, atyre të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kryeprokurores Ina Rama. Duke iu referuar shifrave të fundit të vëna në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë, Topi tha se bëhej fjalë për plot 8868 vendime gjyqësore të formës së prerë që nuk janë ekzekutuar. “Janë të gjitha statistikat e azhurnuara të ditëve të fundit, ku vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar. Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre, rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë”, pohoi presidenti Topi gjatë fjalës së vet. Ndërsa, duke iu drejtuar të pranishmëve kreu i shtetit tha: “Ju jeni angazhuar në një punë shumë komplekse, qytetari ka pasur një marrëdhënie direkt e psikologjike me çështjen dhe nuk e gjen të zbatuar”. Duke vazhduar këtë linjë, presidenti Topi pohoi se: “E keqja nuk qëndron këtu, sepse mund të ketë interesa midis individëve; kuptohet që e kanë shumë të vështirë, që të jenë pjesë e këtij zbatimi, por ka dhe struktura shtetërore ku njerëz me përgjegjësi të drejtpërdrejtë frenojnë zbatimin e ligjit”.