Përmbledhje, qëndrimet e ndërkombëtarëve për EULEX
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana takoi dje ne Nju Jork, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për të diskutuar mbi planin e tij për vendosjen e misionit evropian. Ata rane dakord qe EULEX-i do të mund të fillojë punën në muajin dhjetor, siç kanë paralajmëruar zyrtarët evropianë.
Diplomatët perëndimorë i kane kerkuar lidershipit kosovar që të angazhohet për një zgjidhje që do të mundësonte vendosjen e EULEX-it. Pak ditë më parë në Prishtinë ishte Nënsekretari amerikan i Shtetit Daniel Fried, i cili tha se plani i OKB-së është një zgjidhje e përkohshme për funksionalizimin e misionit evropian, që sipas tij duhet të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur.
Në Londër krerët e institucioneve të Kosovës u pritën në takim nga kryeministri britanik Gordon Broën dhe ministri i Jashtëm, David Miliband, të cilët kanë kërkuar nga udhëheqja e Prishtinës që të angazhohet me BE-në për të garantuar një zgjidhje të shpejt të negociatave.
Ndërkohë Rusia, përmes ambasadorit të saj në Beograd, Aleksander Konuzin i ka dhënë mbështetje qëndrimit të Serbisë lidhur me sistemin e misionit evropian. Serbia është pajtuar që misioni i BE-së për sundim të ligjit të vendoset në Kosovë me kusht që të jetë neutral ndaj statusit dhe për këtë të marrë bekimin e Këshillit të Sigurimit.
Autoritetet kosovare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se misioni i BE-së duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe planin Ahtisari, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia.
Ndërkohë Grupi Mbikqyrës Ndërkombëtar për Kosovën takohet në Bruksel për të diskutuar zhvillimet në Kosovë, ndërsa po vazhdojnë debatet rreth planit të Kombeve të Bashkuara për vendosjen e misionit evropian. Ky grup, që bën mbikqyrjen e zbatimit të marrëveshjes për statusin, përbëhet nga vende, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa kryesohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së në Prishtinë, Pieter Feith. Takimi do të mbahet në nivel të drejtorëve për Ballkanin dhe në të do të marr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. /BBC/