E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çomo, një "Dritë në humnerë"

U shfaq dje në mbrëmje në kinema "Millenium" në Tiranë, dokumentari "Dritë në humnerë", i regjisorit Namik Ajazi të cilin ia ka kushtuar Drita Çomos. Jeta e vajzës së Liri Belishovës, një nga përfaqësueset kryesore të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste deri në vitin 1961, e që më pas u dënua e u persekutua deri në vitin 1990, është pikërisht qendra e dokumentarit të realizuar prej Ajazit. Peripecitë e kësaj gruaje të re që në vitet e para u rrit pranë të afërmve të nënës së saj e më pas u internua bashkë me familjen në qytetin e Cërrikut, do të merrnin një kthesë të tmerrshme, dramatike, kur ajo u diagnostikua me kancer.

Ecejaket nga Cërriku në spitalin onkologjik në Tiranë dhe zymtësia që e rrethonte këtë mjedis do të pasqyroheshin në ditarin dhe poezitë e saj, ku flet për njerëzit dhe jetën.

Përmes pafajësisë dhe brishtësisë së një vajze si Drita Çomo, filmi do të shfaqë dhe aspekte nga jeta e Liri Belishovës dhe bashkëshortit të saj, Maqo Çomo, i cili u burgos nga 1965 deri në 1990. "Dritë në humnerë" do të jetë një rekuiem për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që trashëguan nga prindërit e tyre vuajtjet e persekutimeve komuniste. Përmes tregimeve dhe retrospektivës së përdorur artistikisht, në film synohet rikthimi i vëmendjes në dramën e një brezi të tërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›