E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyllet Panairi "Prishtina 2011'

Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 19:05

Organizatorët e Panairit Ndërkombëtar “Prishtina 2011” kanë vlerësuar pozitivisht rrjedhën e këtij evenimenti, në të cilin morën pjesë 100 kompani prej të cilave 20 ishin të huaja. Po ashtu edhe kompanitë pjesëmarrëse kanë thënë se ky panair ishte mjaft i suksesshëm sa i përket arritjes së marrëveshjeve me kompani të huaja.

Gjatë katër ditëve sa ka qenë i hapur Panairi ndërkombëtar “Prishtina 2011”, në të cilin morën pjesë 100 kompani prej të cilave 20 ishin të huaja, organizatori dhe njëherësh kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërgjaliu e ka vlerësuar pozitivisht rrjedhën e këtij evenimenti.

Në përmbyllje të panairit të shtunën, kreu i OEK-ut tha se ky panair është një mundësi e mirë për bizneset kosovare dhe theksoi se sugjerimet dhe rekomandimet që ka marrë nga kompanitë pjesëmarrëse do të analizohen, në mënyrë që të përmirësohet performanca e secilit prej tyre.

“Këtë realitet duhet të pranojmë. Me siguri do të thotë pyetësor që keni marrë do të jenë ata që ne do t’i analizojmë në të ardhmen dhe do të bëjmë çmos që ato vërejtje, rekomandime dhe sugjerimet tuaja do të jenë ato që do të futen në agjendën tonë me të vetmen dëshirë që ta përmirësojmë performancën tonë në të ardhmen, sepse këto janë mundësia më e mirë që të krijohet një partneritet”, ka thënë ai.

Ndërsa pjesëmarrësit e këtij panairi thanë se janë të kënaqur me ecurinë e panairit, gjatë të cilit kanë arritur të lidhin marrëveshje me kompani të ndryshme ndërkombëtare.

“Jemi mjaft të kënaqur për arsye se kemi pasur mundësi të njoftohemi me firma të ndryshme, instalues të ndryshme, firma të huaja. Ne dje kemi bërë një marrëveshje me një organizatë gjermane GIZ që në të ardhmen do të punojmë shumë ngushtë me ta”, ka thënë Sedat Muqa, pjesëmarrës në panair.

Edhe Sylbie Sahiti, pjesëmarrëse në panair, thotë se panairi ka qenë mjaft mirë i organizuar dhe ka pasur interesim të madh nga ana e vizitorëve.

“Mirë ka qenë. Në panair ia vlen me marrë pjesë. Ka prodhime të ndryshme. Ka qenë panair shumë i suksesshëm dhe i mirë. Koha ka qenë mjaft e mirë dhe po ashtu vizitorë ka pasur”, ka thënë Sahiti.

Në këtë panair, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në mbështetje të Ministrisë së Tregtisë (MTI) dhe Industrisë dhe asaj për Zhvillim Ekonomik (MZHE), kanë marrë pjesë 100 kompani, prej të cilave rreth 20 ishin nga shtetet e huaja.

Ndryshe, në përmbyllje të panairit kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërgjaliu shpërndau mirënjohje për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse.
/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›