Mbyt në vaskë dy fëmijët, tenton vetëvrasjen
Mbyt në vaskë fëmijët dhe tenton të vetëvritet nëna vrasëse. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së hënës në kryeqytetin grek të Athinës dhe protagoniste është një emigrante shqiptare. Gruaja mësohet të jetë 35-vjeçarja Fatbardha Terziu, nga Miraka e Librazhdit. Pasi ka vrarë, Sotirin 10-vjeçar dhe Aleksandrën vetëm 8 vjeçe, ajo i ka dalë para një makine, duke dashur t‘i japë fund jetës së saj. Ajo ndodhet në spitalin e Athinës, ndërkohë që mësohet se ka pranuar krimin e saj. Çifti Terziu kishte vetëm një muaj që ishte vendosur në lagjen nr. 5, në rrugën "Riga Fereu" në qytetin e Elefsinës, rreth 55 kilometra larg kryeqytetit grek. Burimet policore konfirmuan se në orën 11.30, një grua ka telefonuar në sallën e pritjes së thirrjeve nga qytetarët në rajonin policor Athinë. Ajo ka raportuar se ishte fqinjë e familjes Terziu dhe se kishte gjetur brenda në banesë, të pajetë, djalin dhe vajzën e çiftit shqiptar. Në pak minuta shumë forca policie, autoambulanca dhe ekspertë mjekoligjorë mbërritën në vendngjarje. Policia konstatoi se dy fëmijët motër e vëlla, ishin mbytur në fyt me duar dhe kishin ndërruar jetë që të dy. Pak minuta pasi u bë ky zbulim, një tjetër ngjarje u raportua disa dhjetëra metra më tutje, këtë herë nga një shtetas grek, i cili drejtonte një veturë dhe ishte lemerisur nga skena që u detyrua të përballojë. Qytetari 30-vjeçar i tha policisë tha se ndërsa po udhëtonte në rrugën "Iera Odho", ka shtypur një grua, e cila përfundoi nën rrotat e veturës, duke u plagosur rëndë. Udhëtari raportoi se nuk bëhej fjalë për aksident, por për një dalje të qëllimshme të 37-vjeçares, e cila po përpiqej t‘i jepte fund jetës. E plagosura, është dërguar në spitalin shtetëror të Xhanios në Pire, ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, të cilët thanë se gjendja e saj mbetet serioze, për shkak se ajo ka marrë plagë të rënda në kokë. Shumë e rëndë ka qenë situata për Adri Terziun, burrin 39-vjeçar të së dyshuarës. Kur ka mbërritur në shtëpi, i njoftuar me celular nga disa fqinjë dhe të njohur, ai është lemerisur nga pamjet që pa. Bashkëshorti i tha policisë se gjendej në punë e sipër në një objekt të një firme ndërtimi ku ai punon, kur është njoftuar për ngjarjen e tmerrshme. Burri 39-vjeçar ka deponuar se e shoqja, kohët e fundit, përballej me probleme psikologjike, shfaqte shenja depresioni herë pas here, por kurrë nuk ia priste mendja se do të ndodhte një gjë e tillë.