E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku, sekuestrohen 305 kg drogë, arrestohet skafisti



Dy operacionet, lënda narkotike u kap në Gjirokastër dhe Sarandë

Policia: Origjina e drogës, Lazarati; destinacioni, Greqia

Dy operacione të suksesshme të policisë kanë bërë të mundur mëngjesin e djeshëm sekuestrimin e 305 kg lëndë narkotike, si dhe arrestimin e një skafisti. Policia e Sarandës dhe ajo e Gjirokastrës, në kohë dhe vende të ndryshme, arritën të bllokonin dje 305 kg hashash, ndërkohë që arriti të vinte në pranga njërin nga skafistët që do të transportonte lëndën narkotike drejt Greqisë. Droga u kap në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që bllokimi I saj u bë në skafin që po e transportonte përmes ujërave të Sarandës në drejtim të Greqisë. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se kanabisi e kishte origjinën nga Lazarati dhe dyshohet të jetë futur në Sarandë këto dy ditët e fundit, me objektiv trafikimin e tij drejt shtetit fqinj. Lajmi konfirmohet nga forcat e policisë së zonës, të cilat sqarojnë se sekuestrimi i kësaj sasie të konsiderueshme lënde narkotike u bë e mundur falë një operacioni të mirorganizuar prej tyre. Të dhënat paraprake tregojnë se skafi ka qenë 5 metra i gjatë dhe është bllokuar nga forcat e policisë dhe të antidrogës në vendin e quajtur “Pema e thatë”. Në momentin e operacionit, në skaf ndodheshin dy persona dhe policia bën të ditur se ka arritur të kapë njërin prej tyre, ndërsa tjetri është larguar për momentin në drejtim të paditur. Ende nuk jepen të dhëna për identitetin e personit të ndaluar, ndërsa mendohet se persona të tjerë fshihen pas këtij trafiku. Kjo është sasia e dytë e madhe që kapet në Sarandë pas operacionit në nëntor të vitit të kaluar kur policia e këtij qyteti sekuestroi po 300 kg kanabis në Delvinë. Ndërkohë që sasia e dytë e drogës u kap në afërsi të kryqëzimit të fshatit Goricë të Gjirokastrës. Një shtetas po transportonte në krahë në mes të natës një thes me lëndë narkotike, por sa e nuhati që po ndiqej nga forcat e policisë, e hodhi menjëherë poshtë urës. Droga u gjet, ndërsa personi që e transportonte, nuk u kap, pasi ndonëse është bërë ndjekja, ai mundi të largohej me shpejtësi, duke e bërë të pamundur arrestimin. Burimet zyrtare nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se si lënda narkotike pas hetimeve rezultoi të ishte marijuanë dhe se autori i ngjarjes e ka hedhur atë poshtë urës midis fshatit Terihat dhe Goricë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Ai, duke përfituar nga errësira, është larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë, por kjo e fundit ka bërë të mundur gjithsesi identifikimin e tij. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor ku ka konstatuar se në thes kishte 5 pako njëkilogramëshe, të mbështjella më letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të mundur evidentimin e personit dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

U sekuestruan

300 kg marijuanë

5 kg kanabis sativa

1 skaf 5 metra i gjatë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›