Rama mbledh tryezën e partive të opozitës për nisjen e protestaveNga Tema Së shpejti dhe një tjetër mbledhje e Asamblesë Kombëtare, ku do diskutohet për bojkotin, protestat dhe vendimin e disa deputetëve të PS për të hyrë në Kuvend. Harasan
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama mbledh tryezën e partive të opozitës për nisjen e protestaveNga Tema
Së shpejti dhe një tjetër mbledhje e Asamblesë Kombëtare, ku do diskutohet për bojkotin, protestat dhe vendimin e disa deputetëve të PS për të hyrë në Kuvend. Harasani: Ka dhe të tjerë përveç nesh
Krerët e partive opozitare pritet të mblidhen gjatë kësaj jave për të vendosur nisjen e protestave kundër qeverisë për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS ka lajmëruar aleatët e tij se së shpejti do të ketë një tryezë të partive të opozitës, ku dhe do të përcaktohet aksioni politik i opozitës, me synim kryesor rrëzimin e qeverisë Berisha. Veç tryezës së partive të opozitës, pritet gjithashtu edhe një tjetër mbledhje e Asamblesë Kombëtare të PS, ku dhe do të diskutohet për çështjen e bojkotit parlamentar. Burime pranë PS thanë dje se, në mbledhjen e radhës të Asamblesë do të përforcohet vendimi për të vazhduar bojkotin parlamentar. Nuk duket të ketë asnjë shenjë të tërheqjes së PS nga bojkoti parlamentar, ndërsa pesë deputetë të kësaj partie, të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, kanë deklaruar se së shpejti do të shkojnë në parlament. Në mbledhjen e afërt të Asamblesë Kombëtare pritet të diskutohet gjithashtu edhe për qëndrimet e pesë deputetëve sa i përket thyerjes së bojkotit, si dhe masat që mund të merren në një rast të mundshëm të thyerjes së bojkotit parlamentar të PS.
Njëri prej deputetëve të LMN, Andis Harasani, është shprehur dje se PS duhet të thyejë bojkotin dhe të shkojë në parlament brenda afateve kushtetuese me qëllim rrëzimin e qeverisë Berisha. Harasani tha se kryetari Rama nuk mund t’i përjashtojë pesë deputetët, në qoftë se hyjnë në parlament dhe se brenda afateve kushtetuese, disa deputetë të PS, dhe jo vetëm pesë deputetët e LMN, do të bëhen pjesë e parlamentit.
Megjithatë, duket se pesë deputetët e grupit të kundërshtarëve të Ramës do të jenë të vetëm në nismën e tyre për të thyer bojkotin, pasi asnjë prej deputetëve socialistë nuk ka dhënë ende shenjat e kundërshtive të vendimit politik të forumeve drejtuese të PS për të vazhduar bojkotin parlamentar deri në hapjen e kutive të votimit ose, siç thonë socialistët, rrëzimin e qeverisë Berisha.
Ajo që ndodhi në Shkodër, është një arsye më shumë për të dalë në protestë
Edi Rama*
Sapo pamë në Kuvendin e Shqipërisë një tjetër përpjekje për të budallallepsur opinionin publik me gënjeshtra, me sajesa me përralla lidhur me një fatkeqësi, e cila është e treta në radhën e fatkeqësive të mëdha dramatike të këtyre 20 muajve të fundit.
Fatkeqësinë e mbytjes së Shkodrës, jo nga dora e Zotit, por nga dora e robit. Në vend të fakteve, vetëm gënjeshtra, në vend të provave, vetëm fletëlavdërime për një gjoja operacion të suksesshëm shpëtimi. Në vend të argumenteve, vetëm sajesa dhe më keq akoma, sulme ndaj opozitës.
Duke filluar nga gënjeshtra se opozita e kishte kërkuar atë mbledhje të seancës. Ndërkohë që mbarë media është e mirinformuar se këtë seancë e dikton Kushtetuta e Shqipërisë, janë të detyruar ta mbledhin të hënën e tretë të janarit. Nga ana tjetër, ne e kemi bërë shumë të qartë, jo më larg se dje, se nuk kemi kërkuar asnjë mbledhje të Kuvendit, ndërkohë që sot ri-kërkojmë me forcë dënimin e atyre që e shkaktuan këtë fatkeqësi. Nëse abuzimi me fatkeqësinë që i shkaktuan Shkodrës për të sulmuar opozitën është turpi i radhës për Saliun dhe Jozefinën, mosndëshkimi i këtij Gërdeci uji do të ishte turpi i radhës për drejtësinë, që i ka lënë shqiptarët në mëshirën e pushtetit të tyre.
E ka parë mbarë opinioni publik, jo më larg se dje, kemi ekspozuar me fakte konkrete, kemi dhënë prova të pakundërshtueshme, kemi bërë transparencë të detajuar të gjithë kësaj historie që nuk është asgjë tjetër veçse një tjetër kapitull i turpshëm i keqqeverisjes së Sali Berishës.
Sot, nuk dëgjuam asnjë fakt, përveç gënjeshtrave dhe asnjë argument përveç paradës së suksesit qeveritar.
Të cilit sukses? Të të njëjtit sukses që u trumbetua edhe pas hedhjes në erë të një zone të tërë njerëzish të pafajshëm dhe vrasjes së 26 vetëve në Gërdec? Të të njëjtit sukses që trumbetohet sot e gjithë ditën edhe pas shembjes të qindra miliona eurove borxhe të këtij populli në Kalimash? Këtë radhë suksesi ishte se shpëtuan njerëzit, ndërkohë që sot bëhet edhe më e qartë për të gjithë ata që kanë vesh të dëgjojnë dhe kanë sy të shohin, bazuar mbi faktet edhe provat, se edhe alarmi i vënë nga Sali Berisha për disa ditë me radhë për një kataklizëm që rrezikonte të merrte disa jetë njerëzish nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një alarm për t’u përdorur pas katastrofës, e për të thënë se ishte qeveria ajo që e shpëtoi Shkodrën nga më e keqja e të keqes.
Vriten njerëzit në Gërdec, e njëjta gjë, Gërdeci voton për ne. Shemben qindra milionat e eurove borxh në Kalimash, e njëjta gjë, s’ka problem, marrim borxhe të tjera përsëri nga xhepi juaj o shqiptarë dhe shkojmë përpara. Mbytet një copë Shqipëri, 4 herë më e madhe se Tirana, 11.400 hektarë, zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra e mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë. Zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton. Dhe shqiptarët paguajnë, ndërkohë brenda 20 muajsh, drejtpërdrejt nga katastrofat dhe pas katastrofave një popull i tërë për riparimin e këtyre dëmeve.
Është i treti dëm kolosal që i shkaktohet këtij vendi brenda 20 muajsh dhe është e treta herë që i gjithë populli duhet të paguajë për këtë dëm dhe ndërkohë që për të tretën herë drejtësia shqiptare është e sfiduar nga një pushtet i korrupsionit dhe i paaftësisë që rrezikon për gjithë Shqipërinë të dalë përsëri i pa-lagur.
Sali Berisha shkatërron dhe populli paguan, por deri kur? Deri kur mund të pranohet kjo logjikë e zhvillimit të ngjarjeve në këtë vend të kapur prej fyti nga duart e një pushteti të korruptuar dhe të paaftë?
Tërë Shqipëria e pa dje në historinë e asaj që ndodhi, që ne e ekspozuam vetëm duke iu referuar fakteve dhe provave, të marra drejtpërdrejt brenda sistemit elektroenergjitik shqiptar. Shkresave të mbledhura drejtpërdrejt nga brenda institucioneve që duhet ta kishin parandaluar këtë katastrofë dhe pa dyshim referencave drejtpërdrejt të dokumenteve që rregullojnë veprimtarinë shtetërore për të mos lejuar të ndodhë ajo që ndodhi.
Unë jam këtu për të përsëritur se kërkojmë drejtësi për atë që ndodhi në Shkodër dhe për atë që për shkak të kësaj fatkeqësie të radhës po i ndodh përsëri shqiptarëve që si një popull i tërë duhet të paguajnë për keqqeverisjen. Nga ana tjetër, i bëj apel ndërgjegjes kombëtare dhe qytetare të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre, që të shohin dhe dëgjojnë, duke u munduar të kuptojnë të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën, për të mos lejuar që ky regjim i gënjeshtrës të mbytë nesër një Zot e di se me çfarë mënyre tërë Shqipërinë, duke shkaktuar një tjetër fatkeqësi në këtë zinxhir fatkeqësish të njëpasnjëshme, që nuk janë fatkeqësi që nuk vijnë mbi kokat tona për shkak të ndonjë vullneti hyjnor, por janë thjesht dhe vetëm shprehje e kalbëzimit të plotë të shtetit dhe e paaftësisë së plotë të pushtetit.
Së fundi, dua ta ritheksoj, se ajo që ndodhi me Shkodrën për shkak të dorës së paaftë dhe për shkak të këtij pushteti të korruptuar, është një arsye më shumë që opozita të thërrasë gjithë popullin në protestë, për të dalë nga ky rreth vicioz krizash që kanë hyrë dhe po brejnë përditë e më shumë shoqërinë shqiptare, duke vrarë përditë e më shumë ëndrra dhe shpresa në këtë vend. Sepse këto 3 fatkeqësi të mëdha: Gërdeci, Kalimashi, Fierza, janë shprehje e jashtëzakonshme e asaj që ndodhë në jetën e zakonshme të njerëzve që hasin në gjithfarë pengesash, problemesh e hallesh dhe që nuk mund ta kenë dot shtetin atëherë kur ai iu duhet, aty ku ai i duhet, sa herë që ai iu duhet.