Përmbytja e tokave, fermerët i kërkojnë ndihmë qeverisë
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Zona e Nënshkodrës nuk është tharë nga uji i përmbytjeve të shkurtit. Ndonëse harta e përmbytjes është minimizuar, fushat nuk janë ende të gatshme për mbjellje. Kjo pasi një sipërfaqe e konsiderueshme vijon të jetë nën ujë, ndërsa pjesa tjetër është mjaft e lagësht, duke e bërë të pamundur mbjelljen në të. Fermerët janë mjaft të shqetësuar pasi shumë prej tyre burim të vetëm të ardhurash kishin pikërisht frytet e tokave bujqësore. Aktualisht në zonën e Nënshkodrës janë ende 2 mijë hektarë tokë arë të përmbytura, ndërsa rreth 120 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Vetëm në komunën e Dajçit rezultojnë të jenë nën ujë 350 hektarë tokë bujqësore. Këtë fakt e bëri të ditur dje kryetari i kësaj komune, Arben Gjuraj. "Po ta shikojmë situatën në lidhje me një muaj më parë kjo shifër duket e ulët. Kjo është pjesë e tokës me nivel më të ulët, e cila përmbytet apo ka prezencë uji çdo vit. Të ndodhur para një fakti të tillë aktivitetet bujqësore dhe blegtorale të banorëve të kësaj komune po përballen me vështirësi të ndryshme, sidomos me pamundësinë për të mbjellë", u shpreh kryekomunari Gjuraj. Banorët dhe drejtuesit e komunës së Dajçit shikojnë si të vetmen mundësi për të përballuar këtë situatë ndihmën që mund t'iu ofrojë qeveria në ditët në vazhdim. Ata bëjnë apel për ndërhyrje, pasi stina e pranverës ka ardhur dhe për ta do të thotë sezon mbjelljesh. Fermerët tani duhet të mendojnë jo vetëm se si të sigurojnë prodhimet këtë vit, por edhe me çfarë të ushqejnë bagëtitë. Të gjitha rezervat ushqimore të ruajtura për të kaluar dimrin u dëmtuan gjatë dy përmbytjeve, duke thelluar kështu edhe problemet ekonomike në këto familje, për të cilat burimi i vetëm i të ardhurave është toka bujqësore. Në zonën e Nënshkodrës gjatë përmbytjeve të janarit sipërfaqja e përmbytur arriti në mbi 5 mijë ha tokë bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Përmbytja e dytë jo vetëm që i dëmtoi sërish këto toka, por me praninë e ujit ende edhe tek rreth 2 mijë ha, (350 ha vetëm në Dajç) bën që të shtyhet procesi i mbjelljes së pranverës në një afat të pacaktuar, deri në largimin e plotë të ujit nga toka bujqësore. Në të njëjtat kushte është edhe ajo pjesë toke, e cila nuk ka prani uji. Nga dëmtimi i kanaleve kulluese ajo akoma nuk është e gatshme për t'iu nënshtruar punimeve të pranverës. Fushat e komunës së Dajçit janë nga zonat më pjellore në shkallë vendi.
Dëmshpërblim i plotë për përmbytjet
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se qytetarët që janë prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehen nga qeveria. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ai tha se "këto ditë ne marrim vendimin për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha zonave të përmbytura. Dëmshpërblimi do të jetë i plotë, shtëpi për shtëpi dhe Qarku i Shkodrës ka bërë vlerësimet, mendoj me përgjegjësi të madhe. Një çështje e fundit që kishte mbetur, u zgjidh edhe ajo, pasi ishte problemi për një sasi të konsiderueshme lavatriçesh, por qeveria do t'i qëndrojë fjalës që ka dhënë. Do të zhdëmtohen ato që janë dëmtuar, kudo. Edhe në Maliq po të ketë të dëmtuar, sa janë të dëmtuar, Qarku po punon, ne u qëndrojmë plotësisht detyrimeve tona".