E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramiz Alia: Nesti Nasen e Ziçishtin po i falim, edhe pse donim t’i mbanim



Kjo është pjesa e fundit e transkiptimit të debateve në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të datës 13 mars 1991, për amnistinë e pjesës së fundit të të burgosurve politikë. Në dy pjesët e para të publikuara, debati që komandohej nga Ramiz Alia, me atributet e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit, kishte në qendër pikëpyetjet që lindnin parimisht për lirimin e asaj kategorie të burgosurish, që veç akuzave politike, vuanin heqjen e lirisë edhe për akuza ordinere. I acaruar nga informacionet e dhëna mediave të huaja nga Arben Puto, në atë kohë Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sipas të cilave në burgjet shqiptare kishte ende të burgosur politikë, Ramiz Alia paraqitet shumë i zemëruar në debat. Kjo për faktin sepse atij, duket, i kishin raportuar se tashmë në burgje nuk kishte më të burgosur të një kategorie të tillë. Pra, acarimi i Alisë ka lidhje pikërisht me këtë kategori të dënuarësh, që veç akuzave për politikë, kishin edhe të tjera. Po kështu, një pjesë e mirë e kohës së mbledhjes i kushtohet edhe ndarjes së gjykimeve për lirimin e disa të burgosurve VIP, si për shembull, një prej djemve të Mehmet Shehut, por edhe ish-krerëve të njohur të nomenklaturës së vjetër komuniste, Nesti Nase dhe Mihallaq Ziçishti. është interesant të dëgjohet mendimi i Ramiz Alisë për djalin e Mehmet Shehut. Argumentimi i tij është: Ta lirojmë, jo se duhet, jo se e meriton, por vetëm sepse i ka mbetur pak kohë, edhe 10 muaj burg, dhe kështu që nuk ja vlen të mbahet...

... (vijon nga numri i djeshëm)

Alia: E juve e keni. Mirë, mirë. Hiç lëre fare tani edhe këtë. Tashti këtu ke Nesti Nasen.... Dhjetë vjet thamë. Keni Nestin këtu, keni edhe Mihallaqin.
Kore (Ministër i Drejtësisë): Nga tetë vjet e gjysmë.
Alia: Kanë bërë nga tetë vjet e gjysmë. Kanë edhe nga tetë, i falni nga pesë, ë? (Reagime) Ja ku e ke Mihallaqin, e 1921-shit, shtatëdhjetë njëri, shtatëdhjetë tjetri, aty janë.
Zëra nga salla: Le të falen, le të falen, politikë janë. Sa të fillojnë vërc-vërc...
Ruçi (Ministër i Brendshëm): Jo, jo për mua, po të jetë të mos dalë djali i Mehmetit, pa këta të dalin xhanëm, se këta...
Alia: Po djali i Mehmetit dhjetë muaj ta mbash, më mirë, s’është gjë hiç...
Ruçi: E kam llafin kështu, si i rëndësishëm...
Alia: I falim ato...
Zë nga salla: Këta janë emra që do bëhen objekt...
Alia: Këto emra bëhen objekt, këta bëhen objekt, s’kanë më tjetër...
Zë nga salla: Më mirë të dalin edhe...
Alia: Ashtu, kështu që del, Mihallaqin e heqim dhe e çojmë në Ministri të Brendshme.
Ruçi: (me ironi) Kam pasur simpati të madhe për të.
Alia: Hahahaha, e o bëj shaka, pa lëre. Tani, shiko, me këtë unë mendoj se duhet mbyllur ky kapitull, ë? Prandaj kjo, Dashamir, jo, jo, Dashamir, e kush të dojë e kush e ka, për mendimin tim kjo duhet shpallur. Tani numërojini këto me radhë, sa bëhen këta që falëm, që të thuhet, që u falën, përfundimisht, s’ka nevojë numri, të mos jepet, por të gjithë ata që ishin të burgosur për motive politike, në mbledhjen e fundit, në këtë mbledhje, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u liruan. Kështu? Do ta shpallësh këtë se...
Kore: Medoemos do ta shpallim...
Alia: S’ka më tashti. Jo, jo, se... Urdhëro?
Kore: Ajo pjesa e dënimit politik për krime të tjera...
Alia: Jo, jo, s’ka nevojë hiç. Ne e themi. Më, s’ka mbaron. Për neve, kupton, të dënuar politikë s’ka. çfarë do ti?
Terezina (Kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës): Atë studentin do ta falim?
Alia: Atë studentin ku e ka, e ka më poshtë?
Terezina: Te krimet kundër pasurisë...
Ruçi: Se ka gjëkundi.
Alia: Hajt se do ta ketë diku ajo. Mbaje mend ti, mos e harro ti, ti deri në fund këtu je. Faqe 42 keni gjë vërejtje? 43?
Terezina: ... atë shkodranin shoku Ramiz...
Alia: çfarë e do? Ku e ke?
Terezina: I pari, njëshi, njëshi...
Alia: Ja po ka vjedhur gjithë ato, çfarë...
Terezina: Po ka vjedh gjithatë, por...
Alia: çfarë?
Terezina? ... e keqja është se prokurori disa herë që më thotë, mirëpo ka qenë i diskutueshëm thotë. Ti je prokuror dhe nuk duhet të flasësh me këtë gjuhë. Vërtet thotë. Ka qenë i diskutueshëm ai gjyqi i tij, e më the e të thashë. Se çfarë i ka mbetur peng në zemër atij, nuk e di unë.
Kore: Pse s’i bën rekurs Prokurorit të Përgjithshëm ky?
Terezina: Po mirë pra, s’arriti.
Alia: Ky duhet të jetë nga, nga...
Terezina: Prestigjatori, në qoftë se ju kujtohet.
Alia: Ai është?
Kore: Në përgjithësi është njeri shumë korrekt.
Alia: Ashtu, ë?
Kore: Po, brenda është shumë korrekt.
Zëra nga salla: Ta falim, ta falim...
Terezina: Jo ta falim, unë s’them që t’ia falim të gjitha...
Zëra nga salla: Shtatë vjet i ka bërë, ta falim... (reagime)
Kore: Shumë korrekt brenda. Njeri i zgjuar dhe sillet shumë mirë.
Alia: Nga është ky?
Kore: Bile, ndikon jashtëzakonisht mirë te të tjerët.
Terezina: Ka lidhje me Justina Alinë.
Alia: Ooo, nga ata është?
Terezina: Diçka ka lidhje...
Alia: Po mirë o, ti ministër i Brendshëm, ta lirojmë thua?
Ruçi: Dakord.
Alia: Shtatë vjet ka bërë. Në bashkëpunim. (Debate)
Terezina: Në vlefta të mëdha e ka...
Ruçi: Prokurori s’është as nga Shkodra, që i paska ngelur merak...
Alia: Ka bërë prestigjator ky. Ja ka marrë me ashtu... Ta falim thua?
Zëra nga salla: Ta falim.
Alia: Hajt, mirë. Mos t’i marrë mend edhe ty tani?
Terezina: Jo.
Alia: Në 43-shin. S’ka, ty për mirë do të t’i marrë, se e lirove. Kështu që s’ka gjë. 43. 44. 45. 46. Presidiumi mendon t’i falet, thotë, numrit 11, në faqen 46. Jo, jo e shikoni atë. Unë tërheq vëmendjen tuaj, hiçgjë s’them. Thotë të falet i tëri. Aktivizohet mirë thotë Ministria e Brendshme. Ka bërë 4 vjet, i kanë mbetur 2 vjet, t’i falen edhe ato.
Kore: Përsëritës është...
Alia: Jo. Jo. S’është.
Terezina: 40 mijë lekë të vjetra.
Ali: Epo mirë tashti, kooperativist, kooperativist nga Peza është.
Kore: Fshatar është.
Terezina: Andej është.
Alia: Hahaha, me të vërtetë?
Terezina: Kazaz, tamam, andej është nga malësia.
Alia: Unë kot ja futa veç, ta dish ti.
Kore: Kazazi është zonë e Kavajës.
Alia: Shiko se ka Kazazë nga të dy anët.
Terezina: Jo, me Kavajën, në malësi,
Alia: Kush thotë, ja ajo pezakja tjetër, s’është thotë.
Terezina: Jo, Kazazë ka më Kavajë, por është në kufi me Pezën, është në malësi...
Alia: Mirë, mirë, mirë. E mo s’ka rëndësi, unë për shaka e thashë, kupton... Mirë, 47. 48. 49.
Ruçi: Edhe këtu te kjo 48 te 16...
Alia: Po?
Ruçi: Sikur ti falesh këtij...
Alia: Si thua ti?
Ruçi: Ti falesh.
Alia: K. Kasëmit?
Ruçi: Po. Vetëm për korrektësi, kështu...
Alia: Dy vjet. Ka katër vjet pa bërë, dy i ka bërë. E kemi një parim këtu neve, që të paktën gjysmën duhet ta ketë mbaruar. Po ta ashtu, i falim dy vjet ta zëmë, ë? Nëse është ashtu i falim 2 vjet edhe...
Ruçi: T’i falet diçka, jo ta falim.
Alia: A, t’i falet diçka? Epo mirë, dy vjet mund t’ia falim. Dy vjet i falim. 49, 50. Katër muaj i kanë mbetur këtij? Ai Komiteti Ekzekutiv, të mos i falet dënimi thotë. Katër muaj i kanë mbet. Ehhh! 51, 52, 53...
Ruçi: Te 52, lidhur me këtë gruan në fund...
Alia: Lenin? Po.
Ruçi: Kjo është për vjedhje është futur, shtatë fëmijë ka. Të gjithë kontingjent për t’i futur brenda edhe ata. Ne jemi të mendimit që... Të falet...
Alia: Ka vuajtur dy vjet ka edhe 12. Pupupu!
Zë nga salla: Ka vuajtur 3 vjet.
Alia: Ka bërë tre vjet, ka për të bërë edhe 12.
Terezina: Ka shtatë fëmijë.
Alia: Sa mo, e kanë dënuar këtë, pesëmbëdhjetë? Njëzet vjet? Jepini! Po çfarë t’i bëjmë kësaj?
Zë nga salla: Llogaritare pranë këshillit të bashkuar ka qenë.
Alia: çfarë ka qenë?
Zëri nga salla: Llogaritare pranë Këshillit të Bashkuar. I shkurtonte rrogën një punëtori dhe e merrte për vete. Ja këtë punë ka bërë.
Alia: Tashti mos të ma marrë ters ndokush, por mirditorët dhe pukianët janë pak ashtu...
Zëra nga salla: Shtatë fëmijë ka pasur... një milion lekë të vjetra...
Alia: ... i kanë këto marifete, i bëjnë këto marifete. ë?
Zëra nga salla: Ta lirojmë.
Alia: Unë e Terezina mund të ofendohemi këtu, se është krahina jonë, hahata.
Zëra nga salla: Shtatë fëmijë ka pasur. Hajdutë do bëhen të gjithë... Prapë ne do ti mbajmë, shteti... Shoku Gramoz thotë ta fali Presidiumi...
Alia: çfarë t’i bëjë Gramozi asaj? (batuta nga salla)
Ruçi: Kam besim te Fronti, prandaj...
Alia: Hahaha, mirë e ke ti. Jepini mor. Le të iki, tashti, hajt. Faqe 53, shtatë fëmijë, 54, 55, 56. S’keni gjë. 57, 58. Po?
Kore: është aksidentuar në minierë...
Alia: ëhë. Po mirë. Ta falim? Mirë. 59, 60, 61, 62 dhe mbaron edhe kjo, ky kapitull. Tashti janë këta të tjerët. 63, 64, 65, 66 tashti të them të drejtën për një gjë, për këtë 66, është ky numri 8. Ky ka vrarë nënoficerin. Neve e falim. Një vit është ky. Po jo është çështja këtu që. Falja është një gjest, epo fundi i fundit, ndonjë gabim të madh s’ke bërë. Por fajin e paska pasur edhe nënoficeri veç. E ka rrahur.
Zë nga salla: E ka goditur me thikë, e ka plagosur.
Alia: Mirë, mirë, ta lëmë.
Kore: Prandaj edhe nuk u dënua ky... E mbaj mend kur ka ndodhur, me plumb në kokë.
Alia: Mirë, mirë. Faqe 67. 68. 69. Këtu tashti një gjë kam unë. Nuk e di por. Ky numri 14. “Tentativë vrasje me dashje të një personi”. është dënuar 3 vjet. Një vëlla i ka vdekur, një vëlla e paska në burg, ë? (Reagime) Ta lirojmë thua, ë? Psss... Dakord. Mirë, 70.
Terezina: Te 70, ky numri 17.... ka qenë në metalurgjik ky punëtor, shumë, shumë i mirë. Por ky që e ka ngacmuar është një që është futur brenda tashti, njëri me vese jo të mira. Kanë bërë një letër ata, edhe të Frontit...
Alia: Po çfarë t’i bëjmë?...
...
Zë nga salla: Përderisa flet kolektivi...
Alia: Këta thotë 3 vjet. T’ia falim?
Ruçi: Jo, jo të falet fare.
Alia: Të falet fare? Tentativë vrasje, ka ë?
Zë nga salla: Tentativë. Mirë. Ta falim? Ja, po ky tjetri, Kamberi, edhe ky tjetri duhet falur. E kështu e keni menduar ju. 71. Vetëm me këtë 19 unë s’jam dakord kështu. Domethënë, ç’domethënë kjo? Ka vuajtur një vit, i kanë mbetur 6 vjet. Presidiumi mendon t’i falen 6 vjetët. E çfarë e lëmë ne 11 muaj në burg! E pse? Se ky paska vrarë nusen e djalit të tij sepse kjo kishte qëndrim të keq moral. ç’domethënë kjo? Pse vetëgjyqësi do bëhet këtu? Edhe ky plaku e ditka, e paska marrë vesh se ka mbetur me barrë kjo. Mirë po ç’të drejtë ka ai të vrasë gruan e botës, kupton? (Reagime)
Terezina: ... sepse u vlerësua shumë nga opinioni. Por nga një opinion konservator...
Alia: Jo, jo është konservator tamam. Tashti ky, kupton, konstatoi një fakt amoral, kupton. Mirë dakord. Por në fund të fundit s’ke ti të drejtë, ç’të drejtë ke ti, kupton. ë? Urdhëro? 73 vjeç?
Zë nga salla: E kam njohur personalisht. Ka qenë kryetar kooperative. Në Lezhë, sekretar i komitetit ekzekutiv...
Alia: Ore jeni në Mirditë veç. Mirdita, e thashë pak më parë. Ka vuajtur pak? Për opinionin pak, hiç. Unë mendoj lëreni tani aty. As mos t’i ulim hiç. Më vonë, ta shikojmë ndonjëherë tjetër. Jo, jo se do krijojmë probleme. është Mirditë kjo. Mund të venë ta vrasin. Kush, kjo nusja? Vajza...
Zëra nga salla: Vetëm këtë se vrasin.
Alia: E mirë, mirë. Vraje se të fal Presidiumi. Jo, mo jo, familja e vajzës. Mirë. Po ky tjetri, Shpëtim Q., i njëzetës? 12 vjet për vrasje me dashje të një personi në grindje e sipër. Ka vrarë shokun e brigadës ku punonte, pasi ky i fundit e fyente. Ka bërë 7 vjet, ka një vit e tre muaj. Ta falim, ë? Janë zënë? Iku koka, ore. More çesk B., mos është ai çesku i famshëm? Hë mor de, ai mekaniku?
Zë nga salla: Jo është në Tiranë.
Alia: U plake Xhaferr u plake. Lec, më fal të ngatërrova me fjalën çesk. Lec B. Lec edhe çesk më duket aty afër janë. Si janë moj Terezinë? Kolec. Lec. Po çesku nga është? çezar?
Terezina: Françesk.
Alia: Françesk. Hë, ahere, 73, keni gjë këtu? 74, 75. (ndërhyrje)
Alia: Ku e ke? Se njoh. Kur thotë shumica, jo, jo. Faqe 75, 76, 77, 78 dhe 79, iku. Tashti janë këto të faqeve më tej. Unë për veten time jam të mos falen. Se ndryshe këtu ne, po filluam këtë, ne do të prishim tërë legjislacionin tonë. (reagime)
Alia: Doli, a?
Terezina: Faqe 79, numri 16.
Alia: Nazmi A. P. Edhe Komiteti Ekzekutiv mendon t’i falet dënimi, Presidiumi i Kuvendit, të mos i falet dënimi. Ta falim atëherë? U pa kjo punë. Meqë e dashkan këta. Kurse këta të tjerët unë mendoj, unë mendoj, jo. Unë mendoj jo, shiko, se neve kështu, do hapim një kapitull që të tëra, çfarë vendimesh kanë marrë gjyqet tona, këtej e tutje, të tëra duhet t’i prishim.
Ruçi: Tetëdhjetë të tjerë.
Alia: Ja, shikon.
Ruçi: Për të njëjtën arsye.
Alia: Ja, ja, ja.
Ruçi: Presidiumi duhet të formojë edhe këtë, shoku Ramiz, çfarë qëndrimi do të mbahet këtej e tutje?
Alia: Jo, jo, unë mendoj duhen zbatuar ligjet. S’ka. Unë mendoj se nuk duhet, nuk duhet...
Kore: Këta janë dënuar për tentativë...
Alia: Arratisje.
Kore: Nuk dënohet si politikë ata.
Alia: Jo, joooo. S’janë politikanë këta.
Zë nga salla: Tentativë të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Alia: Shiko Sotir, Sotir, ky problem është këtu. Arsyetimi i këtyre është, që këta tentuan të iknin. I kapëm i dënuam, kurse mijëra vetë ikën, po kthehen dhe nuk po i dënojmë, atëherë pse s’i dënojmë këta, t’i lirojmë edhe këta. Mirëpo, po të ndjekim këtë logjikë, bëjmë një gabim, bëjmë dy gabime. Pse ta bëjmë kështu? Ja, shiko, erdhi dhe lista tjetër.
Ruçi: Jo, ka ardhur 180 veta.
Alia: 180 veta. Pse të vijë kjo? Jo, jo, unë mendoj jo. Ligji duhet të zbatohet. Në qoftë se pati ndonjë rast të veçantë që ne, ja tërë këta që ikën tani me vapor.
Zëra nga salla: Janë 1500...
Alia: S’mundemi neve tashti, çfarë do bëjmë... Mbaruam? S’ka gjë tjetër? Atëhere shiko, këtë njoftim nga Presidiumi duhet ta jepni juve ë. Duhet ta jepni, bëjeni njoftim. Do me thënë në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që u bë mbledhja e Presidiumit, shqyrtoi, çfarë shqyrtoi, dekrete e ku di unë, dini të bëni lajme juve? Ja Kosta, ky thuaj, Kola gazetar është. Le të shfrytëzojë atë aftësinë e tij si gazetar, të bëjë lajmin, nuk ka nevojë komente shumë, edhe lirohen të gjithë të burgosurit politikë. U lirua edhe numri i fundit i të burgosurve politikë. Edhe pjesa e fundit e të gjithë të burgosurve politikë. E kupton, ë? Që ta japi ATSH-ja, ta japi mirë si lajm. Tani juve ministrat, rakordoni llafet mes tuaj, bashkë me këta të Presidiumit, që të ketë një fjalë, edhe hetuesi, edhe prokurori edhe kush është tjetër. Gjykatësi. Që të keni një fjalë të tërë. Mos na nxirrni tashti, se përndryshe na nxorët gënjeshtarë ne të Presidiumit. (reagime)
Alia: Jo unë s’dal më gënjeshtar. Ta dini.
Zë nga salla: Po këta më mirë t’i nxjerrim shoku Ramiz...
Alia: S’kanë more. Unë edhe këta nuk i zë. Të them kështu, sinqerisht nuk i zë. Po s’kam ç’i bëj tani. Se janë 120, sa bëhen. Do t’i numëroj tani. Në bazë të kësaj liste 124 janë.
Zë nga salla: Nëse ka mbetur njeri...
Alia: S’ka mbetur njeri more. Ja edhe Nesti Nasen do ta linim, edhe atë e nxorëm. Edhe Mihallaqin do ta linim, edhe atë e nxorëm. çfarë mbeti tjetër më? (reagime)
Alia: Mirë e mbyllim mbledhjen tani.
Përgatiti: F. Dervishi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›