Policia e Tiranës, ndihma për të përmbyturit e Shkodrës
Policia e Tiranës sensibilizohet me banorët e dëmtuar nga përmbytjet në rrethinat e Shkodrës. Punonjësit e Policisë së kryeqytetit kanë kontribuuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve, të cilët u dëmtuan materialisht nga katastrofa e përmbytjeve. Kështu, kontributi i dhënë në ndihmë të qytetarëve nga punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë shkon në shumën e 650 000 lekësh, ndihmesë e cila do t’i shërbejë sado pak familjeve, për eliminimin e dëmeve të pësuara. “Punonjësve të Policisë së Tiranës, në këtë donacion, iu bashkuan edhe shumë organizata, shoqata dhe biznese të ndryshme, me synim për t’u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura. Fondi i dhuruar në ndihmë të tyre do të shkrihen në fondin e posaçëm të Emergjencave Civile për qarkun e Shkodrës”, - deklaroi sot zyrtarisht Policia e Tiranës.
Humb jetën nga pakujdesia 58-vjeçari, po saldonte një bombol
KRUJË - Një 58-vjeçar nga fshati Thumanë i Krujës ka gjetur vdekjen teksa saldonte një bombol gazi në afërsi të një guroreje në Krujë. Ali Jonuzi, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës, ka gjetur vdekjen pas shpërthimit të bombolës së gazit në momentin që ai po kryente saldimin. Sipas të njëjtave burime mësohet se në momentin që 58-vjeçari po kryente saldimin, sipas ekspertëve, ai ka harruar të heqë tapën e bombolës së gazit dhe nga nxehtësia ajo ka shpërthyer. Sipas policisë, 58-vjeçari ka marrë plagë të rënda e për pasojë ka gjetur vdekjen gjatë transportit për në Spitalin Ushtarak. Ndërsa shkak i vdekjes së tij ka qenë një pakujdesi e Jonizit në momentin që ai po saldonte bombolën.
Gjendet trupi i pajetë i një 24-vjeçari
KRUJË - Një 24-vjeçar nga Elbasani është gjetur i mbytur në liqenin e Bungut, në afërsi të fshatit Halil të rrethit të Krujës. Kanë qenë banorët e fshatit Halilaj që kanë vajtur për të marrë një makinë me bar në afërsi të liqenit, pasi ishte toka e tyre, ku kanë vënë re trupin pa jetë të Aqeri Dobrovës dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Policia e Krujës bëri të ditur se në trupin pa jetë të të riut nuk kishte shenja dhune, ndërsa bëri të ditur se ai dyshohet të jetë mbytur të paktën para 20 ditëve, pasi trupi i tij kishte filluar të dekompozohej. Kjo kohë përkon dhe me denoncimin e familjarëve të tij, të cilët i ishin drejtuar policisë pas zhdukjes së Dobrovës. Sipas policisë, mësohet se Dobrova mendohet të jetë me të meta mendore dhe se është vetëmbytur në liqen. Uniformat blu të Krujës janë duke punuar për zbardhjen e shkaqeve që çuan viktimën drejt mbytjes.
22 Janar 2010