Asgjësohet “lozha” mafioze shqiptare në Firence, sekuestrohen 227 kg drogë
FIRENCE - E konceptuar si një lozhë masonerie, ku askush nuk dekonspirohej, ku askush nuk jepte detaje lidhur me të fshehtat e tyre dhe ku në krye të shkallës hierarkike qëndronte kreu i grupit. Kështu shprehet media italiane lidhur me organizatën kriminale të shkatërruar nga Policia e Firences, që çoi në bllokimin e 227 kg lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe në ekzekutimin e 35 fletë-arresteve për prangosjen e anëtarëve të grupit, ku të gjithë ishin me orgjinë shqiptare. Operacioni i koduar “Grali i Shenjtë” është shtrirë në disa shtete si Spanjë e Holandë, si dhe në disa krahina të Italisë, duke filluar nga Toskana, Lombardia, Veneto, Marke dhe Pulia.
Aksioni
Mbi 100 forca policie të Guardia di Finanza së Firences kanë nisur mëngjesin e djeshëm aksionin për arrestimin e 35 personave, të cilët janë me origjinë shqiptare. Polica e Firences bën të ditur se menjëherë pas lëshimit të fletë-arresteve nga ana e gjykatës, me kërkesë të zyrës vendore të Antimafies, ata janë vënë në lëvizje për arrestimin e personave të kërkuar. Mediat italiane bëjnë të ditur se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 227 kg lëndë narkotike, heroinë, kokainë e marijuanë. Gjithashtu janë sekuestruar dhe 4 pushkë, 176 fishekë dhe 8 automjete. Sipas përllogaritjeve të para, vlera e drogës së kapur, nëse ajo do të hidhej në tregun e pakicës, do të kapte vlerën e 20 milionë eurove.
Hetimet
Forcat e policisë bëjnë të ditur se prej disa kohësh mbahej nën vëzhgim rrjeti kriminal i përbërë nga shqiptarë. Aktiviteti i tyre shtrihej kryesisht në Firence, por edhe në zonat përreth saj. Pas një hetimi disamujor, Guardia di Finanza, pas prerjes së letër-arresteve, nisi aksionin për vënien në pranga të 35 personave të shpallur në kërkim. Deri tani Policia italiane nuk bën të ditur asnjë emër të personave të arrestuar, pasi, sipas saj, policia është ende në gjurmim të disa të kërkuarve dhe publikimi i emrave do të dëmtonte hetimet. Rastet e grupeve kriminale të arrestuara në Itali për trafik droge janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ku shqiptarët tashmë nuk kanë më pozicionet e shitësve të rrugëve, por janë kthyer në drejtues të grupeve kriminale.
Shkatërrohet klani “Çalliku”, akuzohen për trafik droge dhe tentativë vrasje
VENECIA – Çmontohet klani kriminal i familjes Çalliku. Media italiane bën të ditur se ditën e djeshme ka arritur të shkatërrojë një grup kriminal shqiptar të drejtuar nga familja Çalliku. Sipas të dhënave të para mësohet se deri tani janë arrestuar 4 persona dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu bëhet e ditur se dy nga vëllezërit Çalliku, përveç trafikut të drogës, akuzohen dhe për një tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur tetorin e kaluar. Shkaku i ngjarjes ka qenë mospagesa e drogës nga personi i sulmuar.
Ky grup kriminal kryesisht shpërndante drogë në qendër të qytetit, shpërndarje kjo që sipas grupit hetimor, kryej me një grafik të përcaktuar mirë. “Grafiku javor i shpërndarjes bazohej në gjysmë kilogrami heroinë dhe hashash, ndërsa javën tjetër heroina zëvendësohej me kokainë”, - bëjnë të ditur mediat italiane. Shpërndarësit e drogës për llogari të kësaj familjeje ishin të rinj italianë të moshave 23-25 vjeç. Grupi hetimor i Policisë italiane njofton se ky grup është mbajtur në vëzhgim për më shumë se dy vite, ku janë vërejtur një sërë veprash kriminale, që nga trafiku i drogës, tentativë vrasjeje, djegie makinash dhe kërcënime.
Pranga tre të rinjve, rrëmbyen dhe tentuan të përdhunonin të miturën
TIRANË - Rrëmbejnë të miturën dhe tentojnë të përdhunojnë për dy ditë rresht, arrestohen tre të rinjtë. Të rinjtë u arrestuan në Tiranë me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe mbajtje lëndësh narkotike, pasi kanë rrëmbyer një vajzë 15-vjeçare, të cilën kanë tentuar ta përdhunojnë ndërsa gjatë kontrollit të policisë u është gjetur edhe një sasi droge. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Tiranës, e cila tha se të arrestuarit e dyshuar për ngjarjen janë: S. P., 19 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë; Jah Sali Metalija, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Taulant Lek Necaj, 19 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Policia tha se arrestimi i tre të rinjve është bërë për shkak se dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth tri ditë më parë, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, me automjetin e tyre tip “Benz Mercedes”, me targa TR 1251 I, kanë marrë me dhunë një shtetase 15-vjeçare, duke e mbajtur për afro dy ditë në ambientet e një banese të ndodhur në Kombinat Tiranë, si dhe dyshohet se kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. “Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesë është gjetur një sasi prej 38.4 gramësh bimë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, - sqaron policia. Sipas tyre, në vendin e ngjarjes, nga grupi hetimor i formuar u kryen veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” në bashkëpunim dhe “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
22 Janar 2010