Topi shpreh besim: “Partitë politike do ta kapërcejnë këtë situatë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu bindjen se partitë politike në Shqipëri do të dinë të dalin nga kriza politike. Por ai nuk dha asnjë detaj në rast se do të ndërmarrë ndonjë nismë për të organizuar ndonjë tryezë bisedimesh me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës. Gjatë fjalës së mbajtur një natë më parë në ceremoninë e pritjes së Trupit Diplomatik me mision në Shqipëri, Topi tha se partitë politike në Shqipëri do të dinë ta kapërcejnë situatën e vështirë. “Forcat politike shqiptare janë të përgjegjshme dhe do të dinë ta tejkalojnë këtë situatë të vështirë, e cila është reflektuar muajt e fundit. Për ne është e domosdoshme që të ndjekim me shumë seriozitet, me shumë rigorozitet, të gjitha standardet e botës demokratike. Kjo vlen për politikën, administratën, ekonominë, për të gjitha. Ju siguroj se institucionet e Shqipërisë do të përballojnë me shumë motivacion të gjitha detyrimet në rritje për proceset integruese të vendit. Jam i bindur se së bashku do të ndërtojmë gjatë 2010-s një botë më të mirë, më të qetë për popujt tanë, për shoqërinë tonë”, - është shprehur kreu i shtetit. Presidenti Topi shtoi gjithashtu se shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë që gjatë këtij viti të tregojë më shumë maturi dhe të ecë drejt një “debati konstruktiv për t’u ngritur mbi interesat e momentit dhe për t’u drejtuar drejt interesave kombëtare”. Më tej, presidenti Topi vlerësoi arritjet e politikës së jashtme të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar dhe shprehu besimin për forcimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet mike gjatë këtij viti. Ai theksoi se prioritet për Shqipërinë mbetet liberalizimi i vizave me BE-në, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE.
Raporterët e KE-së sugjerojnë mbajtjen e tryezës së rrumbullakët
Në raportin e tyre për Shqipërinë, dy raporterët e Asamblesë së KE-së i sugjeruan politikës shqiptare organizimin e një tryeze të rrumbullakët bisedimi për zgjidhjen e krizës politike. Ata sugjeruan gjithashtu që kjo tryezë të nxitet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Dy raporterët i bënë thirrje maxhorancës të ngrejë komisionin hetimor për zgjedhjet ndërsa opozita të futet në Kuvend. “Asambleja Parlamentare, duke u mbështetur në rezolutën për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, vëren se kriza politike ka paralizuar politikën dhe institucionet shtetërore në Shqipëri. Duke u bazuar në faktin se Këshilli i Europës e ka detyrë statutore për të ndihmuar shtetet anëtare që të gjejnë zgjidhjen e krizave politike nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese, Asambleja rekomandon: Të përfshihet në mënyrë aktive, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare kompetente dhe përfaqësuesit e KE-së në këtë fushë, në gjetjen e zgjidhjeve politike për krizën dhe të mbështesë nismat për të mbledhur bashkë në një tryezë diskutimi të gjitha partitë politike në Shqipëri. Të nxisim dialogun nëpërmjet Asamblesë në mënyrë që të kontribuojmë për gjetjen e zgjidhjes së krizës aktuale”, - shkruhet në raport. “Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar dhe vazhdimi i bojkotit është një problem i përsëritur në Shqipëri, gjë që dëmton seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore. Asambleja vëren me keqardhje se në mungesë të një dialogu parlamentar, retorika e zjarrtë po përdoret gjerësisht nga të gjithë përfaqësuesit politikë të përfshirë në debat, gjë që mund të sjellë destabilizim të mëtejshëm në vend”, - shkruhet në raportin që do të diskutohet së shpejti në KE. “Ne mbështesim të gjitha nismat duke përfshirë atë të Presidentit Topi për të bashkuar të gjitha partitë politike shqiptare. Ne mendojmë se një tryezë e rrumbullakët bisedimi, ku të bashkohen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe në vendosjen e pikave për fillimin e dialogut parlamentar”, - shkruhet në raport.
22 Janar 2010