E Diel, 1 Nëntor 2026

Inkiriwang: Indonezia, interes për të investuar në turizëm

TIRANË - Shqipëria duket se ka ngjallur interesin e Indonezisë për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, por edhe për të investuar në sektorin e turizmit.
Një ambicie e tillë është shprehur nga Immanuel Robert Inkiriwang, ambasadori indonezian rezident në Bullgari, që mbulon edhe Shqipërinë, sipas të cilit ka ardhur koha që të rriten shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve. Në një intervistë për TV Vizion Plus, ambasadori i Xhakartas në rajon thotë se marrëdhëniet diplomatike duken të pamjaftueshme, ndaj është e nevojshme që ato të shtrihen edhe ne aspektin ekonomik. “Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm. Pika më strategjike është Porti i Durrësit”, - tha diplomati indonezian. Ai ka shprehur interesin e vendit të tij për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, ku turizmi mbetet një sektor i rëndësishëm. Por, zoti Inkiriwang thekson se interesi është edhe në fusha të tjera si arsimi apo mbrojtja. “Që të arrihen këto kemi nevojë të promovojmë njëri-tjetrin dhe të kryejmë vizita ekonomike”, - u shpreh ambasadori i Indonezisë në Bullgari.
Shqipëria dhe Indonezia janë në fazën e dialogut për të hapur ambasadat në vendet respektive, pasi në këtë mënyrë do të forcohen marrëdhëniet mes palëve.
“Ju keni Ambasadën në Kualalompur, e cila mbulon edhe Indonezinë, që numëron 230 milionë banorë, ndaj e kuptoni sa e rëndësishme është hapja e ambasadës në Xhakarta”, - u shpreh për median përfaqësuesi diplomatik i Indonezisë për rajonin.
Ambasadori Inkiriwang tha se ka pasur bisedime me ish-ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, të cilat po vazhdojnë edhe me ministrin aktual, zotin Ilir Meta, për hapjen e ambasadave respektive dhe për vendosjen e bashkëpunimit diplomatik dhe ekonomik mes dy vendeve.
Duke iu referuar statistikave, tregtia mes Shqipërisë dhe Indonezisë për vitin 2009 kap shifrën e 3.4 milionë dollarëve, me një rritje prej 105% krahasuar me vitin 2008. Vendi ynë importon nga Indonezia mallra tekstile dhe industriale.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›