E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokristianët i bëjnë thirrje Topit të mbledhë tryezën e partive

Eljona Ballhysa
Pas publikimit të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka reaguar dje Partia Demokristiane, e cila i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës që të mbledhë tryezën e përfaqësuesve të partive politike në Shqipëri për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Në një deklaratë për mediat, PDK-ja, duke iu referuar raportit të KE-së, shprehet se ky raport është një kambanë për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në Shqipëri, në mënyrë që të gjenden rrugët për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës në Kuvend dhe t’i hapet rruga hetimit të procesit zgjedhor. Më tej në këtë deklaratë demokristianët i bëjnë thirrje maxhorancës që të lexojë më vëmendje këtë raport që pritet të miratohet së shpejti nga Asambleja Parlamentare e KE-së në mënyrë që të pranojë pa kushte hetimin e procesit zgjedhor. Partia Demokristiane është ndër të paktat parti që ka paraqitur padi penale në Prokurorinë e Përgjithshme duke kërkuar zbardhjen e të vërtetave të manipulimit të procesit zgjedhor, veçanërisht në qarkun e Shkodrës. PDK-ja akuzon Partinë Demokratike për manipulime gjatë procesit të numërimit të votave në këtë qark dhe për këtë PDK-ja disponon edhe prova materiale që i ka vënë në dispozicion të Prokurorisë. Megjithatë, PDK-ja mendon se ka ardhur momenti që t’i jepet fund krizës politike në Shqipëri dhe që presidenti Topi të mbledhë tryezën e partive politike për të nxitur debatin institucional mes palëve.
Tryeza
“Partia Demokristiane, e shqetësuar për krizën politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të manipuluara të 28 qershorit, denoncon edhe njëherë përpjekjet e maxhorancës qeverisëse për të fshehur krizën politike dhe për të penguar zbardhjen e të vërtetës së zgjedhjeve. Ndërkombëtarizimi i krizës politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin dhe evidentimi i krizës në raportin e raporterëve të Këshillit të Europës dhe në projektrezolutën e Komitetit të Monitorimit që pritet të miratohet në ditët e ardhshme, është një kambanë alarmi për partitë politike shqiptare, Presidentin e Republikës dhe në veçanti për maxhorancën qeverisëse, e cila kërkoi ta fshihte të vërtetën e zgjedhjeve pas vendimeve politike dhe të njëanshme të gjykatës zgjedhore. Zgjidhja e krizës politike dhe institucionale është obligim madhor i faktorit relevant politik shqiptar, ndaj PDK-ja kërkon fillimin e menjëhershëm të dialogut politik që do të mundësojë hetimin e zgjedhjeve dhe zbardhjen e së vërtetës për zgjedhjet e 28 qershorit”, - është shprehur dje në emër të PDK-së zëdhënësja për shtyp e kësaj partie, Blerina Stefi. Më tej demokristianët kanë akuzuar Prokurorinë për zvarritje të hetimeve për manipulimet e bëra gjatë procesit zgjedhor. “PDK-ja, në rrugë institucionale ka provuar se i është grabitur një mandat në Shkodër, ndërkohë që PD-ja, nëpërmjet manipulimeve, i ka shtuar vetes më shumë se njëmbëdhjetë mijë vota në këtë qark. Për fat të keq zvarritja e hetimeve nga Prokuroria dhe mosdënimi i fajtorëve po e bën edhe Prokurorinë palë me shkaktarët e krizës politike që po mban peng vendin. PDK-ja, duke përshëndetur raportin e raporterëve të Këshillit të Europës, i bën thirrje Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, të mbledhë menjëherë tryezën e partive politike dhe fillimin e dialogut politik midis partive të maxhorancës dhe partive të opozitës për zgjidhjen e krizës. PDK-ja gjykon se hetimi i zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit në qarqet e kontestuara nga opozita është e vetmja rrugë që çon në zgjidhjen e krizës politike, kthimin e normalitetit në vend, por edhe garanci për mbylljen e ciklit të turpshëm të manipulimit të zgjedhjeve që kanë përçudnuar demokracinë në këto 20 vite të tranzicionit politik”, - është shprehur përfaqësuesja e PDK-së gjatë deklaratës së djeshme për shtyp. Sipas saj, Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe duhet të tregojë pjekuri në zgjidhjen e çështjeve politike në vend. “Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që aspiron për t’u integruar në Bashkimin Europian, është momenti të dëshmojë pjekurinë e saj politike dhe potencialet e saj demokratike, duke zgjidhur me dialog dhe konsensus krizën e krijuar nga vjedhja e votës në zgjedhjet e 28 qershorit”,- përfundon deklarata e zëdhënëses së PDK-së.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›