E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytje në Tiranë, bashkia dhe policia marrin masa

Janë dashur vetëm disa orë me shi që rrugët kryesore të Tiranës të përmbyten. Rreshjet e dendura të shiut gjatë mëngjesit të sotëm kanë krijuar vështërsi të lëvizjes së automjeteve ndërsa uji ka vërshuar përgjatë rrugëve.

Situata më problematike për shkak të reshjeve ishte në rrugën "Don Bosko", në "Kombinat", pranë Fabrikës së Birrës, tek rruga "Hoxha Tahsin", në drejtim të Farmacisë 10 dhe tek Ura e Madhe e Dajtit.

Nisur nga kjo situatë Bashkia e Tiranës nëpërmjet një komunikate zyrtare tha se po punohet intensivisht për normalizimin e situatës në kryeqytet.
 

Sipas Bashkisë në këtë situatë përmbytje janë angazhuar të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 2 të Ujësjellës - Kanalizimeve si dhe operatorët e pastrimit. Për të larguar ujin, bashkia bëri të ditur se është bashkëpunuar me shërbimin Zjarrfikës, për të bërë të mundur largimin e ujit me bote.
 

Gjithashtu, në rrugët e Tiranës janë vendosur rreth 150 policë bashkiake dhe 20 mjete, ndërkohë që Policia e Rendit ka përforcuar shërbimet e saj në zonat problematike, ka shtuar patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e Policisë Rrugore, pasi reshjet e shumta kanë bërë të mundur që një numër semaforësh të jenë jashtë funksionit.
 

Policia bashkiake dhe ajo e qarkullimit mëngjesnin e së martës kanë devijuar kalimin e automjeteve në rrugën Don Bosko dhe normaliteti i lëvizjes së tyre është rikthyer pas disa orëve kur reshjet e shiut pushuan. Ndërsa trafik i rënduar këtë mëngjes u shënua në rrugën Hoxha Tahsin, përgjatë unazës, në kryqëzimin e 21 Dhjetorit si dhe në qëndër të Tiranës. Për të shmangur trafikun e rënduar, policia e qarkullimit me atë bashkiake u vendosën në çdo kryqëzim.
 

Kjo nuk është dita e parë që në Tiranë vërshon uji. Pavarësisht punës së bërë nga Bashkia në sistemimin e kullimit të ujit, një shi pranveror mund të përmbysë lehtë kryeqytetin.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›