Përmbytjet, 936 familje futen në skemën e ndihmës ekonomike
SHKODëR- Përmbytjet në qarkun e Shkodrës kanë zhytur në varfëri 936 familje. Ato do të trajtohen për një periudhë kohe të pacaktuar me ndihmë ekonomike nga Shërbimi Social Shtetëror deri sa të marrin kompensimin dhe ti rikthehen jetës normale. “Struktura rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Shkodër ka bërë këto ditë, në situatën e pas përmbytjeve, një evidentim të familjeve të cilët gjatë kësaj periudhe kanë humbur mjetet e tyre aktive të jetesës dhe si pasojë bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. është evidentuar se nga 1731 familje të përmbytura, 123 prej tyre kanë qenë në skemën e ndihmës ekonomike ndërsa 936 familje të tjera futen për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike dhe natyrisht bëhet pagesa e tyre në muajin pasardhës.” shpjegon Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço. Ndihma ekonomike që do të përfitojnë këto familje do të variojë sipas ligjit nga 800 lekë në muaj deri në 7500 lekë në muaj në varësi të numrit të pjestarëve të familjes. (e.n/News24/BalkanWeb)