E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicër, ndahen cmimet prej kristali

ZVICER-Forumi Ekonomik Botëror që po zhvillohet në një kompleks turistik në Davos të Zvicrës mund të jetë një rast për të mbledhur bashkë politikanë e biznesmenë të njohur nga mbarë bota por megjithatë tërë këta personazhe u lanë në hije nga tre artistë të cilët u vlerësuan me çmime gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve prej Kristali një ditë më parë, ceremoni e cila u zhvillua pas hapjes së forumit nga presidenti francez Nikola Sarkozi. çmimet prej Kristali është një aktivitet i përvitshëm në të cilin nderohen artistë që japin një kontribut pozitiv në shoqëri përmes talentit të tyre. Shkrimtarja kanadeze Margaret Atvud, këngëtari zvicerian Udo Jurgens dhe piktori kinez Lang Lang ishin fituesit e çmimeve në edicionin e këtij viti. Kanadezja Atvud është autore e mëse 40 librave, përfshi këtu romane me famë botërore si ‘Rëfenja e Punës me Dorë’ dhe‘Vrasësi i Verbër’. Pianisti Lang Lang, i cili interpretoi në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike të Pekinit, ka promovuar mbledhjen e fondeve të ndihmës për Haitin gjatë javëve të fundit. Ai interpretoi tre pjesë muzikore për kënaqësinë e publikut, përfshi këtu një pjesë tradicionale kineze. "Për mendimin tim kjo është një urë e përkryer mes njerëzve, sidomos mes muzikantëve e fëmijëve, ndaj për muzikantët ka rëndësi prania këtu në Davos e diskutimit në lidhje me ndikimin e muzikës në jetën e njerëzve, mundësinë për dhënien e ndihmës nëpërmjet saj" tha ai. "Unë po bëj çmos si ambasador i UNICEF për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve të prekur nga tërmeti apokaliptik në Haiti. Madje kam ngritur një fondacion për të mbështetur fëmijët e talentuar në fushën e muzikës" shtoi ai. Vepra e tij, jashtë sferës së muzikës është vlerësuar nga revista ‘Time’ e cila kohët e fundit e përfshiu në listën e 100 njerëzve me më shumë ndikim në botë. Ndër ish-fituesit e çmimeve prej Kristali mund të përmendim aktoren Ema Tompson e mjeshtrin e çelos Jo-Jo Ma. (s.t/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›