E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Komiteti Ndërministror takim me donatorë të huaj

Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile zhvilloi një takim me partnerët kryesorë të komunitetit të donatorëve ku u diskutua mbi nevojat dhe mundësitë e financimit për përballimin e situatës së emergjencës civile që u shkaktua nga përmbytjet natyrore në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Synimi i takimit, përveç paraqitjes së nevojave në plan afatshkurtër ishte edhe parapërgatitja e një konference të zgjeruar donatorësh, e cila do të marë në shqyrtim financime të mundshme jo vetëm për projektet e vogla lokale për ndërtime argjinaturash, rehabilitim të sistemeve të ujësjellës kanalizimeve apo të shërbimeve të ndryshme publike vendore, por edhe projekte të rëndësishme për vepra të mëdha publike, siç është drenimi i lumit të Bunës për ta bërë të lundrueshëm dhe ndërtimi i një by pass të madh që do të shërbejë si për mbrojtjen e Shkodrës nga liqeni ashtu edhe si infrastrukturë rrugore moderne lidhëse mes akseve rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Tiranë.
"është e rëndësishme që në hapin e parë të kryejmë rehabilitimin e dëmeve dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Por ndërkohë në plan afatmesëm dhe afatgjatë qeveria Berisha synon kryerjen e veprave të mëdha infrastrukturore publike, që jo vetëm do të mbrojnë Shkodrën nga përmbytje si këto që ndodhën, por do të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të të gjithë Qarkut të Shkodrës,- u shpreh Ministri Basha.
Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian Z. Helmut Lohan, Zv.ambasadorja e OSBE Znj. Renate Hermans dhe Z. Manuel Montobio Ambasador i Spanjës, vendit që kryeson Bashkimin Europian, vlerësuan si mjaft të suksesshëm përballimin e fazës së parë të emergjencës civile nga qeveria shqiptare. Lohan, Hermans dhe Montobio deklaruan se do të mbështesin pranë institucioneve europiane financimin e projekteve që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e plotë dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja.
Gjatë takimit u vendos marrja në shqyrtim së pari nga vetë ministritë e linjës e rreth 180 projekteve për investime lokale të përgatitura nga vetë njësitë vendore të Qarkut të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›