Përmbytjet, Meta: Shumë shpejt do fillojë inventari i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia

Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, u shpreh sot nga Shkodra se shumë shpejtë do të fillojë vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore në qarkun e Shkodrës. Këtë garanci z. Meta e dha pas përfundimit të mbledhjes së përditshme të Komitetit Ndërministror të Emergjencave(KNE), ku ka garantuar qytetarët e Shkodrës se shumë shpejtë në zonat ku është larguar uji do të fillojë vlerësimi i dëmit financiar të shkaktuar nga kjo fatkeqësi. “Sot është marr një vendim për të nisur sa më shpejtë vlerësimi i dëmeve të ardhur nga kjo fatkeqësi natyrore, sidomos përsa i takon zonës së liruar tashmë nga pushteti i ujit dhe për ketë po përpilohen të gjitha konsultimet e nevojshme. Por sikurse e theksova dhe në fillim janë 5800 hektar sipërfaqe ende nënë uji . Kështu që qëllimi ynë është përballimi, sikurse deri tani, e kësaj situata të krijuar. Situata është e përmirësuar por jo e tejkaluar dhe po përgatitet e gjithë infrastruktura e nevojshme”- u shpreh zv/kryeministri Meta. “Ka një përmirësim të lehtë nga dita e djeshme ku situata paraqitet më e përmirësuar dhe momentalisht kemi 5800 hektar tokë e cila ndodhet ende nënë uji”- deklaroi ministri i Energjetikës. Numri 2 i qeverisë, theksoi gjithashtu se “ka një rënie të lehtë të nivelit të ujit gjë që ka ndihmuar forcat e policisë, të ushtrisë të cilët kanë punuar me intensitet dhe përgjegjësi të madhe sidomos për të mbyllur argjinaturën e fshatit Sambrisht e cila shumë shpejtë do të rehabilitohet”. “Me përmirësimin e kushteve do të fillojë puna për argjinaturën në Daragjat dhe në Dajç. Gjithashtu duket se kjo situatë është në një përmirësim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm duke bërë të mundur që të përmirësohet situata dhe për 460 shtëpi apo banesa që janë ende nënë uji”- theksoi ai. Zv/kryeministri dhe ministri i Energjetikës, tha se po merren masa për furnizimin me ushqim për blegtorinë, pasi dihet që situata ë krijuar nga përmbytjet ka sjell probleme për mjaft fermerë dhe përsa i përket mungesës së ushqimeve për blegtorinë. “Po marrim masa të shpejta në mënyrë që dhe ky furnizim të jetë sa i bollshëm dhe sa më afatgjatë. Më tej, zv/kryeministri shprehu besimin se me organizimin dhe përkushtimin që po tregohet situata do të vijë drejt përmirësimit dhe rehabilitimit të pasojave, të cilat janë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishme tha z. Meta, duhet të theksojmë se Shtabi i Emergjencave ka punuar me intensitet të lartë këto ditë duke furnizuar me ushqime për bagëtinë. Gjithashtu shtabi ka vendosur dhe për të marr masa të tjera të cilat kanë të bëjnë me rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet sidomos përsa i takon ujësjellësve të disa fshatrave apo dhe për të kthyer energjinë elektrike në fshatin Rrjoll ku pati ca pengesa si pasojë e kushteve të krijuara dhe besojë që shumë shpejtë ne do e mundësojmë këtë gjë. “Unë kam besim se me këtë organizim dhe me këtë përkushtim situata do të vijë drejt përmirësimit, do të vijë drejt normalizimit dhe drejt rehabilitimit të këtyre pasojave, të cilat janë të mëdha. Është punuar në një terren jashtëzakonisht të vështirë dhe për fat të madh, dhe për shkak të punës së bërë, heroizmi që është bërë nga forcat e ushtrisë, policisë”, u shpreh z. Meta. Ndaj tha ai, dua të falënderoj në veçanti të gjitha strukturat shtetërore, të gjithë strukturat e pushtetit vendor në krye Prefektin Maxhid Cungu, strukturat e emergjencës , të gjithë deputetët e Shkodrës të cilët janë angazhuar në mënyrë permanente dhe në veçanti edhe ata që sot janë në terren sikurse janë forcat e rendit, forcat e ushtrisë dhe të gjitha ata të cilët janë të detyruar që Krishtlindjet ti kalojnë në një situatë jo të zakonshme.
...