Rama: KiE foli qartë për krizën
BLEDAR HOTIKreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas votimit të rezolutës së Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehet se nuk do të ndalojë protestat e opozitës deri në zgjidhjen e krizës politike në Shqipërisë. Lideri i PS-së ka komentuar në këtë mënyrë rezolutën e KiE-së, duke theksuar se pa u zgjidhur ajo, opozita nuk do të heqë dorë nga protestat. "Rezoluta e KiE, e miratuar pak orë më parë, është e qartë: Shqipëria është në krizë politike. Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza", u shpreh lideri i PS-së. Kryesocialisti theksoi më pas se "i falënderoj në emër të PS dhe të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për mbështetjen që i dhanë vendit duke vënë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së sotme dhe rrëzimit të amendamenteve vulgare të Partisë Demokratike. Ato po, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë evropiane". "Mirëpresim njëkohësisht përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës, siç thotë edhe Rezoluta. Beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje", theksoi Rama. Kreu i PS-së shtoi se "Protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptanit të veshur me dopiopet, që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar, duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb, siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua në momentin e fundit nga gjykatësit, falë nismës së kësaj opozite. Të cilën Sali Berisha duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se as e nënshtron dot duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut", theksoi Rama.Reagimi i TopallitKryeparlamentarja Jozefina Topalli priti përfundimin e Asamblesë së KiE, për të nisur seancën e Kuvendit dhe për të dhënë mendimin e saj mbi rezolutën e miratuar. "Më lejoni të përshëndes në emër tuaj këtë rezolutë shumë të rëndësishme të Këshillit të Evropës. është një rezolutë, e cila përmban brenda vetes thirrjen për opozitën, për të stopuar bojkotin e Parlamentit. Në të gjitha diskutimet e kësaj seancë plenare të KE, duke filluar nga e majta më ekstreme, duke vazhduar te socialistët, socialdemokratët, të qendrës, të djathtës dhe të djathtës ekstreme, që të gjithë i kërkuan liderit të PS që të ndalë bojkotin, sepse bojkoti nuk është mënyra me të cilën mendon Evropa", u shpreh Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se "përveç kësaj dua të falënderoj 2 raporterët që vetë bënë dy ndryshimet të rëndësishme në këtë rezolutë, në mënyrë të veçantë pranimin e disa prej amendamenteve më thelbësore, që ishin paraqitur". "Në emrin tuaj më lejoni të falënderoj KiE", theksoi Topalli. Në seancën e djeshme, në pikën jashtë rendit të ditës, deputetët e maxhorancës trajtuan gjerësisht Rezolutën e Këshillit të Evropës të miratuar dje në Strasburg, ku theksohet rëndësia e dhënies fund të bojkoti parlamentar të opozitës në Shqipëri, letra e Partisë Socialiste drejtuar Asamblesë të KE për të ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar në këtë institucion të rëndësishëm të Evropës.