E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, Blushi e Islami në Bruksel

 Aristir LumeziDeputetët për Mendim Ndryshe në PS zhvillojnë sot takime në Bruksel për të marrë mendimin e Evropës para se të hyjnë në Kuvend.Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani do të takojnë emra të njohur të politikës së Bashkimit Evropian, përfshirë këtu drejtues të grupeve politike të Parlamentit Evropian, funksionarë të KE-së dhe drejtues të partive evropiane socialiste. Deputetët socialistë do takojnë zv.presidentin e PE-së, Roucek, zv.presidentin e Grupit Parlamentar Socialist, Hannes Svoboda, kreun e grupit socialist në PE, Martin Shultz, kryetarin dhe zv.kryetarin për Evropën Juglindore, Kukan dhe Bostinaru, Yonec Polet, koordinator i PES, Chountis, raporteri për Shqipërinë në PE. Në qendër të takimeve do të jetë bojkoti i Parlamentit shqiptar nga Partia Socialiste. Deputeti socialist, Kastriot Islami, tha dje përmes telefonit se vajtja e tij dhe kolegëve në Bruksel kishte lidhje me "dhënien e një pamje të situatës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit". "Do të paraqesim shqetësimet tona ndaj qeverisë aktuale, por dhe bojkotit të opozitës, e cila që prej pesë muajsh ndodhet në bojkot të plotë me Parlamentin e vendit", u shpreh Islami. Tre deputetët socialistë pritet të takojnë kryetarin e grupit socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shultz, me të cilin do të ndajnë të gjithë shqetësimin e tyre në lidhje me vazhdimin e bojkotit të deputetëve socialistë, ndërsa do të ndajnë opinionet e tyre rreth dëmtimit që ky bojkot i sjell vetë Partisë Socialiste, e cila tashmë është dhe anëtare e PES. Një tjetër takim i tre deputetëve socialistë pritet të zhvillohet dhe me eurodeputeten Doris Pack, e cila është një njohëse e mirë e zhvillimeve politike shqiptare. Por duket se më të interesuar për situatën politike në Shqipëri janë të majtët evropianë. Pak ditë më parë kryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shultz, gjatë një takimi me kryeparlamentaren Jozefina Topalli në Bruksel, nuk preferoi të jepte detaje rreth bisedës së tyre, ku folën dhe për bojkotin e opozitës. Në këtë mënyrë, Shultz do të njihet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga homologët e tij socialistë shqiptarë, me arsyet reale që detyruan PS-në të vendosë bojkot me Parlamentin. Të majtët evropianë do të jenë në fillim të marsit në Tiranë në një konferencë rajonale për të majtën në Ballkan dhe për këtë ata kërkojnë të jenë sa më të qartë rreth situatës politike në Shqipëri. Mësohet se pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i PS-së, Edi Rama do të udhëtojë drejt Brukselit ku do të ketë takime të rëndësishme me të majtët evropianë, por dhe me eurodeputetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›