E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, mbi 800 banesa nën ujë, banorët ende në rrezik

Publikohet bilanci i dëmeve të shkaktuara nga vërshimi i ujërave në Nën-Shkodër
SHKODËR – Të paktën 800 banesa janë përmbytur nga ujërat në zonën e Nën-Shkodrës, ndërsa mijëra të tjera ende janë në rrezik për shkak të shkarkimeve nga digat e kaskadës së Drinit. Shtabi i Emergjencave në qarkun e Shkodrës, por dhe qeveria dhe deputetët e zonës kërkuan nga banorët që të lënë shtëpitë dhe t’u binden planeve të masave që kanë hartuar grupet e emergjencave. Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi se do të nxirren me forcë të gjithë ata që kundërshtojnë urdhrin për largimin nga shtëpitë e tyre. Ndonëse dje u shënua një ulje e vogël e nivelit të ujërave, serish rreziku ekziston, pasi, veç shkarkimit të ujit, situata rëndohet edhe nga reshjet që pritet të bien gjatë këtyre ditëve.
Situata
Gjatë gjithë ditës së djeshme situata në rrethin e Shkodrës ka qenë kritike, pasi janë përmbytur 750 banesa, ku 200 prej tyre janë të izoluara nga uji në të gjitha anët. Zonat më problematike janë Shirqi, Oboti, Bahçallëku, Ajasemi dhe Dajçi. Në Obot, rreth 130 shtëpi janë të izoluara plotësisht dhe asnjë prej familjeve nuk dëshiron të lërë banesat. Gjithashtu, në Ajasem janë bllokuar 30 shtëpi, në Bahçallëk 10 dhe në Dajç 30. Refuzimi i banorëve për të lënë shtëpitë e detyroi Drejtorinë e Emergjencave që pasditen e djeshme të kërkonte largimin me forcë nga zonat e përmbytura. Kreu i saj, Alfred Olli, foli ditën e hënë për një normalizim të situatës, por shtoi: “Në rast se do të jetë e nevojshme, do të evakuohen me forcë të gjithë. Ne e kemi aplikuar këtë edhe më parë në disa zona ku kanë ndërhyrë punonjës të policisë, sepse detyra jonë është të shpëtojmë jetë njerëzish. Jemi të gatshëm që edhe kafshët që atyre u duhen, t’i transportojmë me makinat e policisë dhe ushtrisë”, - tha Olli.
Të dhënat zyrtare
Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se janë zhvendosur nga zonat e përmbytura 130 persona. Të paktën 3500 hektarë janë nën pushtetin e ujit. Sipas të dhënave të qeverisë, 200 banesa janë izoluar nga të gjitha anët. Prefektura e Shkodrës thotë se gjatë ditës së djeshme pati një ulje të ndjeshme të nivelit të ujit, afro 20 centimetra. Në Bashkinë e Shkodrës janë përmbytur rreth 600 ha tokë. Konkretisht, zonat e përmbytura janë në Ajasem, Bahçallëk dhe Tophanë, ku janë evakuuar 37 familje. Sipas Prefekturës, 11 prej këtyre familjeve janë strehuar në mjediset e hotel-turizmit në Shkodër. Ndërsa 130 persona të komunitetit rom u akomoduan në repartin ushtarak në Melgushë. Situatë e rëndë është edhe në komunën Ana e Malit. 850 hektarë tokë janë përmbytur, ku mes tyre janë edhe 130 shtëpi në fshatin Obot. Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se janë evakuuar 28 familje. Prefektura e qarkut verior njofton se në komunën Dajç janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. 70 banesa janë mbushur me ujë, ndërsa 53 familje u larguan nga vendbanimet e tyre. Në fshatin Semrisht janë regjistruar dëmtime të argjinaturës.
Mjetet
Me dhjetëra mjete të ushtrisë, të policisë dhe të strukturave të Emergjencave Civile janë zhvendosur në zonën e Nën-Shkodrës. Në operacione janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti “Delta Force” me dy gomone. “Në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga Ministria e Mbrojtjes, 112 trupa, 13 mjete transporti vetëshkarkuese dhe 6 motobarka gomone”, - thonë burimet zyrtare. Në zonën e përmbytur janë dislokuar forcat operacionale me përbërje: 15 mjete të Policisë së Shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve. Në komunën Ana Mali u dislokuan dje dy ura tip beli nga forcat e Xhenios.
Gjatë gjithë këtyre ditëve është ngritur dhe funksionin Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile dhe shtabet e emergjencave në dy qarqet më të prekura.
Që prej datës 2 janar, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Në këto rrethe ishte edhe kryeministri Berisha dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, të cilët inspektuan nga afër dëmet e shkaktuara. Zoti Berisha ka premtuar kompensim për të gjitha dëmet e shkaktuara nga vërshimi i ujërave të kaskadës së Drinit.

Topalli: “Banorët të respektojnë planin e emergjencës”

SHKODËR – Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe deputete e zonës së Shkodrës, ka kërkuar nga banorët që t’i përgjigjen planit të përgatitur nga Shtabi i Emergjencave për evakuimin nga zonat e përmbytura. Gjatë ditës së djeshme ajo ka zhvilluar takime me personat që u janë përmbytur banesat dhe u kërkoi atyre mirëkuptim për të bashkëpunuar me forcat e Ushtrisë dhe Policisë për një zbatim sa më efikas të planit të evakuimit në orët në vijim. Zonja Topalli prej tri ditësh po ndjek nga afër situatën në komunat e prekura nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Ajo shprehu falënderim dhe mirënjohje të veçantë për forcat e Ushtrisë, Policisë, bluzat e bardha të shëndetësisë, punonjësit e Drejtorisë Elektrike të rrethit, si dhe ata të mirëmbajtjes së kanalizimeve për punën e bërë gjatë këtyre ditëve.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›