E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Përmbytjet, Prokuroria të nisë hetimet për shpërdorimet e qeverisë

TIRANË – Qeveria është e paaftë që të përballojë situatën e përmbytjeve në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës, dhe Prokuroria duhet të nisë hetimet për abuzimet me fondet e përdorura për argjinaturat e lumenjve në këto zona. Këto kanë qenë deklaratat e bëra dje nga deputeti i PS-së, Ilir Beqja. Sipas tij, Partia Socialiste është e shqetësuar për situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e disa komunave të Lezhës dhe të Shkodrës. “Por situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtorin e Emergjencave Civile”, - tha Beqja. Deputeti i PS-së u shpreh se “edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet”, - u shpreh ai, duke i bërë “thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve”. Partia më e madhe e opozitës kërkon nga organi i akuzës që të nisë hetimet edhe për vonesat në marrjen e masave, të cilat duhej të kishin nisur që në muajin nëntor të këtij viti. Një neglizhencë e tillë, sipas socialistëve, u bë shkas që të ketë dëme të konsiderueshme materiale në këtë periudhë.
Socialistët e shohin menaxhimin e situatës si një dëshmi të qartë e paaftësisë së qeverisë së Sali Berishës për të përmbushur detyrimet që ka ndaj qytetarëve të Shqipërisë.
Dje ishin në qarkun e Shkodrës disa deputetë të PS-së, të cilët panë nga afër gjendjen e krijuar nga hapja e digave të hidrocentraleve dhe përmbytjen e disa fshatrave në zonën e Nën-Shkodrës.

Eneida Cacaj

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›