E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, ministrat zhvendosen në Shkodër

Ministrat e kabinetit “Berisha” janë zhvendosur prej ditësh në zonën e përmbytjeve në dy qarqet e veriut të vendit, duke ndjekur situatën hap pas hapi. Ministrat kryesorë të qeverisë janë shpërndarë në zona të caktuara të përmbytura, nga ku në koordinim me Komitetin Ndërministror të Emergjencës kanë vijuar në menaxhimin e situatës, e cila ka pasur si prioritet evakuimin e banorëve, si dhe shpërndarjen e ndihmave materiale për të gjithë banorët e prekur. Në raportimet e orëve të vona të ditës së djeshme, ministrat garantuan se situata ndodhet në kontroll të plotë, ndërsa kanë përsëritur apelin për evakuimin e banorëve të mbetur në zonat e përmbytura. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili drejton edhe Komitetin e Emergjencës, tha dje se është punuar me kapacitet të plotë si për ndarjen e ushqimeve, ujit të pijshëm, ilaçeve etj., ndërsa shtoi se evakuimi ka vijuar rregullisht dhe pa ndërprerje. “Kemi bërë furnizime me ushqime edhe nga ajri. Gjendja mbetet nën kontroll. Duke filluar nga dita e nesërme do të jetë prioritet furnizimi me ushqim edhe i gjësë së gjallë”, - tha Basha. Duke u ndal në prioritetin kryesor, atë të evakuimit të banorëve, Basha apeloi për banorët që t’i përgjigjen thirrjes së autoriteteve. “U bëj thirrje banorëve të vazhdojnë evakuimin. Në pikat ku është bërë evakuimi janë depozituar edhe ushqimet. Procesi i evakuimit vazhdon. Ritmet nuk janë ato që ne kërkojmë, por ky proces vazhdon”, - tha ai, duke shtuar më tej se puna ka vijuar edhe me përforcimin e argjinaturave, si dhe gjendjen afër të të gjithë banorëve të prekur. Nga ana tjetër, ministrat e tjerë të kabinetit kanë vizituar zonat e prekura. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka inspektuar zonën e Velipojës. Ai deklaroi se forcat e ushtrisë ndodhen në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Ministri informoi se janë shpërndarë dhjetëra ton ushqime për banorët. “Po bëjmë çdo që për t’u ardhur në ndihmë banorëve”, - tha Imami. Në zonën e përmbytjes ka qenë edhe ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili ka ndjekur nga afër situatën, veçanërisht në zhbllokimin dhe hapjen e transportit të këtyre zonave. Nga ana e tij, edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, inspektoi zonat e prekura, nga ku deklaroi se banorët kanë marrë të gjithë ndihmën e kërkuar. Bode premtoi edhe vlerësim real të dëmit, si dhe kompensimin e plotë të banorëve. Bode tha se Shtabi i Emergjencës tashme ka akomoduar dhe siguruar gjithçka iu nevojitet banorëve të evokuar, gjithashtu edhe atyre që qëndrojnë ne shtëpi. “Një izolim pak i zgjatur ngre problemin e mbështetjes me bazë ushqimore edhe për blegtorinë dhe nga dita e sotme do të fillojë shpërndarja e bazës ushqimore dhe për blegtorinë. Pra me ngritjen e një fondi operacional, në çdo ditë do të plotësojmë të gjitha nevojat, jo vetëm për banorët, por edhe për bagëtinë në këto zona, pasi ky izolim mund të zgjasë dhe ditë të tjera”, - tha Bode. Ai ritheksoi edhe njëherë faktin se qeveria shqiptare do të përballojë çdo nevojë që kanë këto zona, për të siguruar funksionimin normal, si për njerëzit, ashtu dhe për bagëtinë. Kreu i Financave siguroi banorët që shpërndarja e bazës ushqimore do të jetë transparente dhe korrekte, si dhe do të bëhet vlerësimi i çdo dëmi të shkaktuar nga përmbytjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›