Banorët, Ramës: Qeveria na ka ndihmuar
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është përballur dhe një herë tjetër me replikat e banorëve të Shkodrës, të cilët nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e shfaqjes së tij në media, ku akuzon qeverinë për mosmenaxhim të situatës. Banorët e zonave të prekura nga përmbytja i kanë thënë dje kryesocialistit se qeveria u ka ardhur në ndihmë dhe do bënte mirë që dhe ai të bashkëpunonte me qeverinë në këtë drejtim. I shoqëruar nga disa deputetë të PS-së, Rama ishte dje në Shkodër, ku në lagjen “Livade” ai pati replika me disa banorë. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, banorët iu ankuan Ramës për mungesa ndihmash, ndërsa kronikat televizive treguan banorët që informonin Ramën se qeveria “Berisha” u kishte ardhur në ndihmë. Rama ka replikuar me banorët, duke thënë se ndihma e qeverisë ka ardhur, pasi ka ngritur zërin opozita. Megjithëse kur qeveria kishte nisur evakuimin, Rama akoma s’kishte dalë në TV të jepte një deklaratë për situatën. “Për shkak se shkuam ne, erdhën ndihmat dhe kjo është një gjë e mirë”, - tha Rama. Pavarësisht koordinimit që Rama po i bën qëndrimit të socialistëve për situatën, përsëri dje ka pasur kontradikta në deklarata. Qëndrimin radikal të Pandeli Majkosm,që të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare, zyra e shtypit pranë PS-së e ka censuruar, duke mos e shpërndarë kërkesën e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Tashmë që situata po shkon drejt përmirësimit, duket se kjo kërkesë është pak e ekzagjeruar. Referuar njoftimit për shtyp të PS-së, deputeti Pandeli Majko i kërkoi Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Nisur nga qëndrimet e ndryshme, përfshi edhe Presidentin e Republikës, të cilët duan t’i japin një pamje rozë kësaj që po ndodh në shumë aspekte. Dëshiroj të them se aktualisht situata në Qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime “komisarësh”, por ka nevojë për një reagim në nivelin e situatës në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e një Qarku të rëndësishëm siç është Shkodra. Mendoj që duhet mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit”, - deklaroi Majko. Ndërsa Rama deklaroi nga Shkodra se PS nuk po tenton të ngrejë struktura paralele, që sipas tij, janë struktura ndihme. “Në çdo vend të emancipuar, çdo popull i emancipuar vepron në këto raste duke ngritur struktura vullnetare në të gjitha pikat e mundshme. Struktura këto, me bazë partiake, me bazë komunitare, me bazë sociale, me bazë individuale. Këto nuk quhen struktura paralele, por struktura solidariteti”, - tha Rama.