E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Pakistan, kostoja 2.5 miliardë dollarë

“Zona e prekur është aq e madhe sa Anglia”, bëri të ditur ambasadori Zamir Akram në një konferencë shtypi. “Sipas vlerësimeve të para, vetëm për veriun e Pakistanit do të duhen rreth 2,5 miliardë dollarë për të rindërtuar gjithçka”, theksoi ai, duke shtuar se vendi ka marrë, nëpërmjet OKB-së, rreth 301 milionë dollarë për ndihmat urgjente.

Pothuaj një javë pas thirrjes për ndihmë urgjente ndërkombëtare prej 460 milionë dollarë për gjashtë milionë pakistanezët e prekur më rëndë, OKB-ja ka mbledhur deri sot në mëngjes rreth 35 për qind të shumës, kundrejt 32 për qind që kishte mbledhur dje në mbrëmje. Sipas OKB-së, kjo katastrofë natyrore, më e rënda në historinë e vendit, ka shkaktuar deri tani 1600 të vdekur.

Akram theksoi se “deri më sot nuk ka patur raste kolere ose sëmundje të tjera”. Sipas ambasadorit pakistanez, do të duhen edhe rreth 10 ditë të tjera për të vlerësuar plotësisht dëmet. Islamabadi thekson se më tepër se 14 milionë persona janë prekur nga përmbytjet në shkallë të ndryshme që shkojnë nga ata që nuk kanë më një banesë, tek ata që kanë humbur prodhimet bujqësore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›