Permbytjet ne Shkoder, Berisha therret qeverine, Topi ne Shkoder
SHKODER- Qarku i Shkodrës vazhdon të përballet me një situatë kritike për shkak të përmbytjeve nga shkarkimet e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Situata përkeqësohet dhe nga reshjet e shiut, të cilat që prej mbrëmjes së 1 janarit vazhdojnë dendur pa pushim.“Shkodra ndodhet në prag katastrofe natyrore” ka përshkruar situatën kryeministri Sali Berisha i cili dje është ndodhur në fshatin Dajc të Bregut të Bunës.Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë sot në orën 11.00 për masat që do të merren për përballimin e situatës dhe shmangien e një katastrofe.Nga ana tjetër Presidenca informon se vetë kreu i shtetit Bamir Topi do të udhëtojë drejt veriut për të parë nga afër zonat e përmbytura.Në orën 10.00 të mëngjesit Presidenti do të jetë në ishull Shëngjin të Lezhës ku batica detare ka përmbytur shumë fshatra që gjenden pranë detit. Mbetet problematike situata në Ishull-Lezhë, e pikërisht në zonën e kënetës, në fshatin Tale dhe Fushë-Kuqe në Kurbin.Më pas zoti Topi do të udhëtojë drejt zonës së nën Shkodrës, pikërisht në komunën e Dajcit ku situata nga përmbytjet është vërtet problematike dhe evakuimi i banorëve has në rezistencën e tyre.Janë 3800 ha tokë të cilat vazhdojnë të jenë të përmbytura nën ujë në të gjithë qarkun e Shkodrës. Në mbledhjen e sotme të Shtabit të Emergjencës janë dhënë shifra mbi dëmet e mëdha që janë shkaktuar në këtë qark për shkak të shkarkimit të ujrave të tre HEC si dhe për shkak të reshjeve dhe shtrëngatave të shiut që vazhdojnë pa ndërprerje në të gjithë Shkodrën. Pritet të ketë një tjetër rritje të nivelit të ujit ndërkohë raportohet se mbi 350 banesa janë tashmë të mbushura me ujë.Konretisht në bashkinë e Shkodrës janë 140 shtëpi në rrezik përmbytje. Uji tashmë ka hyrë në katin e parë të tyre. Në fshatin obot janë 140 shtëpi të përmbytura, në komunën Dajc janë 70 shtëpi, 5 shtëpi janë të përmbytura në fshatin Dushk të Komunës Ana e Malit, 7 shtëpi të përmbytura në Arrën të komunës Bushat.Forcat e armatosura kanë vijuar gjithë natën evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë nga fshatrat e komunës së Dajcit dhe Obot, dy zonat më të rrezikuara nga përmbytjet.Pavarësisht apelit të kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të prefekturës për një evakuim sa më të shpejtë, banorët vazhdojnë të rezistojnë. Nga shifrat e raportuara sot në mbledhjen e shtabit të emergjencës janë evakuar nga fshati Obot 30 familje, 130 familje nga 460 që banojnë në komunën Dajc janë evakuar. Nga fshati Arrëz janë evakuar 7 familje, 5 familje janë evakaur nga Bërdica, 30 familje të komunitetit rom, banorë të lagjes Bahcallëk në hyrje të Shkodrës janëevakuar. Mësohet se familjet nuk kanë pranuar të strehohen në vendet që ka caktuar qeveria për strehimin e tyre por kanë preferuar të strehohen te të afërmit.Situatë problematike vazhdon të mbetet fshati Obot. Banorët refuzojnë evakuimin, dhe numri i të zhvendosurve nga forcat e ushtrisë është shumë i vogël.Reshjet e shiut dhe shtrëngata kanë bërë të mundur një rritje të lehtë të nivelit të ujit, ndërkohë që lumi Drin, Kir, Gjadër dhe liqeni i Shkodrës vijojnë te jenë të tejmbushur. (s.g/BalkanWeb)