EULEX hesht. Kelmendi: Gjykatësit serbë janë ilegalë, s’do të njihen vendimet

Beogradi ngre sërish struktura paralele në veri të Kosovës dhe EULEX nuk reagoi, duke krijuar gjasat e një incidenti të rëndë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Autoritetet në Kosovë e kanë cilësuar si të paligjshëm emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Gjykatën në veri të Mitrovicës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e cilësoi vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës. Ajo tha dje për BBC-në se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës janë të paligjshme dhe nuk mund të funksionalizohen me vendimet e autoriteteve në Beograd. Sipas saj, çdo vendim i tyre nuk do të zbatohet në territorin e Kosovës.
Qëndrimi i autoriteteve në Prishtinë pasoi një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të vitit të kaluar, për betimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për Gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila do të ketë degët e saj edhe në enklavat e tjera serbe. Ministrja Kelmendi deklaroi se “ne e kemi të ndërtuar sistemin gjyqësor dhe ai sistem, të cilin tenton ta ndërtojë Serbia, është ilegal. Ajo ka provuar të bëjë diçka me një ligj dhe tani me gjyqtarë e prokurorë. Unë dua të besoj se kjo është vetëm një lojë e Serbisë, sepse e ka të qartë se do të jetë negative për të nisma që e ka filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Serbisë i duhet të merret me diçka, në mënyrë që ta konsumojë për politikat e veta të brendshme, ta mbajë popullatën gjithmonë në terr, të mos dijë popullata se çka ndodh në Kosovë. Ato gjykata janë gjykata ilegale, ato nuk ka gjasa që të funksionalizohen në Kosovë.
çdo vendim që merret nga ato gjykata, nuk mund të zbatohet në Kosovë, kurse në Serbi nuk mund të zbatohet gjithsesi për shkak se nëse është për shembull çështja pronësore, prona nuk mund të bartet në Serbi dhe të ekzekutohet vendimi atje”. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë ka folur për një qëndrim të dyzuar të komunitetit ndërkombëtar, përkatësisht UNMIK-ut për të toleruar një penetrim të Beogradit në sistemin e drejtësisë së Kosovës në veri. “Mora premtime shumë të forta se mbyllja e asaj gjykate nuk do të zgjaste më shumë se një muaj. Dhe ndodhi çka ndodhi, pas UNMIK-ut u vendos misioni i EULEX-it dhe unë bisedova edhe me ata. EULEX-i më premtoi se do të shkojë hap pas hapi, por gjykata do të funksionalizohet shumë shpejt.
U bënë edhe disa ‘akrobaci' për të fituar në kohë, u tha se po rregullohen lëndët, dosjet etj., dhe kështu kaluan dy vjet. Tani, kur Serbia vitin e kaluar miratoi ligjin, në bazë të të cilit u emëruan këta gjyqtarë dhe prokurorë, unë prapë ua tërhoqa vërejtjen zyrtarëve më të lartë të EULEX-it dhe u thashë se ne duhet t’i funksionalizojmë sa më shpejt ato gjykata, mos të na krijohen realitete të reja, sepse ne tani duhet t’i parandalojmë shkaqet e të mos merremi me pasoja. Biseduam sa biseduam dhe erdhi koha kur kërkuan të nënshkruhet protokolli edhe për gjyqësorin.
E kundërshtova kategorikisht dhe unë tash shpresoj se ky vit do të jetë vit i shpërbërjes së të gjitha institucioneve paralele, sidomos të atyre të organeve të drejtësisë, të gjyqësisë dhe do të funksionalizohen të gjitha gjykatat në tërë territorin e Kosovës dhe nuk do të ketë më gjykata paralele”, deklaroi ministrja Nekibe Kelmendi.