E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në Shkodër, qeveria mbledh shtabin e emergjencave



Ervin KOÇI

Përmbytjet që kanë rinisur në zonën e Nën-Shkodrës kanë vënë në alarm strukturat e shtetit të cilat kanë mbledhur menjëherë shtabin e emergjencave. Në komunën e Dajçit niveli i ujit është 60-70 centimetër që prej një jave dhe shkaku kryesor është argjinatura në fshatin Daragjat, punimet për të cilën janë kryer në masën 50 %. Shtabi i emergjencave civile ka analizuar shkaqet e përmbytjes, si dhe puna që po bëhet për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në këtë zonë. Në gjendje të vështirë është edhe komuna e Kelmendit ku tre ditët e fundit janë shkaktuar dëme të mëdha, ndërkohë që në disa zona nuk mund të hyjnë as mjetet e ushtrisë. Shtabi i emergjencave civile ka inspektuar nga afër liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, ku është vërejtur se niveli i liqenit është mjaft i lartë. Aktualisht shkarkimet nga Hidrocentrali i Vau Dejës, janë 800 metër kub ujë në sekondë të cilat do të shtohen në rast të intensifikimit të reshjeve.

Përmbytjet
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka udhëtuar dje drejt qarkut të Shkodrës për të monitoruar nga afër situatën e përmbytjeve të shkaktuar nga reshjet dhe fryrja e lumenjve në disa komuna të zonës së Nën-Shkodrës. Pasi ka inspektuar në zonat e prekura nga përmbytjet, ministri Basha ka kryesuar mbledhjen e Emergjencave Civile në godinën e prefekturës së qytetit. “Situata nuk është e qetë por nuk ka vend për panik”,- ka përshkruar situatën ministri i Brendshëm, duke vënë theksin tek situata në liqenin e Shkodrës “si problematike”. Ndërsa situata në hidrocentrale është normale. Reshjet dhe prurjet e lumenjve kanë rritur tej mase nivelin e liqenit i cili rrezikon të dalë nga shtrati për tu përhapur në lagjet në hyrje të qytetit. Ministri Basha tha se, janë marrë të gjitha masat në rast nevoje për evakuimin e banorëve, si dhe furnizimin e tyre me ushqime. Ministri urdhëroi Shtabin e Emergjencave të qëndrojë non-stop i instaluar në godinën e prefekturës së Shkodrës.

Harta e përmbytjeve
Pas përmbytjes së Obotit, Dajçit dhe Samrishtit, dje është fundosur nën ujë edhe zona e Velipojës në Shkodër, ndërkohë që lokalët dhe banorët e rrezikuar po përgatiten për evakuime masive. Për shkak të prurjeve masive, po dje është bërë i pakalueshëm dhe aksi nacional Shkodër-Velipojë. Banorët e përmbytur vazhdojnë në situatë kritike, të tjerë presin me ankth rrezikun që i kërcënon, ndërkohë që shtabi i emergjencave, forca të ushtrisë dhe policia vazhdojnë të jenë në gatishmëri për të përballuar situatën. Sipas autoriteteve vendore, situata është tepër kritike. Sipas tyre, "më shumë se 1000 hektarë tokë të përmbytur si dhe një numër i madh banesash janë të rrethuara nga uji”. Mësohet se kjo situatë është jo vetëm në komunat problematike Ana e Malit, Dajç, por së fundi dhe në Obot, por edhe në rrethinat e qytetit të Shkodrës. Kjo situatë ka ngritur në këmbë strukturat vendore dhe shtabet e emergjencave, ndërsa nga Tirana kanë udhëtuar specialistë të Emergjencave. Strukturat shtetërore, si ushtria dhe policia janë vënë në gatishmëri.

29 Nentor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›