Raporti: Barra e taksave në Shqipëri, më i lartë se mesatarja botërore
Ervin KOÇI
Niveli i taksave në vendin tonë mbetet mjaftë i lartë, me gjithë premtimet e qeverisë për reduktimin e tyre. Në raportin e fundit, “Të paguash taksat 2010-2011” të Bankës Botërore, jo vetëm që nuk e rendit Shqipërinë si një nga vendet me taksat me te ulëta, por përkundrazi vëren se barra fiskale është më e lartë se sa mesatarja botërore. Më saktësisht, raporti i përgatitur nga Korporata Financiare Botërore, thotë se një biznes në Shqipëri, paguan mesatarisht 40.6 për qind të totalit të fitimeve të tij, si taksa për qeverinë duke u renditur e 92-ta nga 183 ekonomi botërore për nga barra fiskale.
Raporti
Sipas Bankës Botërore, vendi me numrin më të lartë në renditje, ka dhe barrën më të lartë fiskale. Raporti bën një analizë të detajuar të barrës tatimore, që duhet të paguajnë bizneset në çdo vend të botës, duke u bazuar në një shembull standard, ai i një ndërmarrje me 5 aksionerë që ka 60 punonjës dhe është themeluar dy vjet më parë. Sipas BB-së, në Shqipëri kjo ndërmarrje, me ligjet aktuale paguan, 8.5 për qind të fitimit të saj bruto si tatim mbi fitimin, 27.2 për qind si taksë mbi punën dhe 4.9 për qind për taksa të tjera. Në total rezulton se: nëse kjo ndërmarrje fiton 100 lekë në vit, atëherë ajo duhet të paguajë 40.6 lekë taksa dhe fitimi i mbetur pas taksave është 59.4 lekë. Por raporti nuk analizon vetëm barrën e taksave. Ai vlerëson edhe procedurat, kohën dhe kostot që pagesa e taksave i kushton një biznesi. Duke përfshirë edhe këto tregues, renditja e Shqipërisë përkeqësohet edhe më duke arritur në vendin e 149 nga 183 ekonomitë e botës.
Vendet e rajonit
Të gjitha vendet e tjera të rajonit renditen dukshëm më mirë se sa Shqipëria. Maqedonia klasifikohet në vendin e 33-të, Kosova në të 41-tin, Kroacia e 42-ta dhe Mali i Zi në vendin e 138. Banka e publikon këtë raport prej 6 vitesh tashmë dhe ekspertët e saj thonë se ai po shndërrohet në një pikë referimi jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe për qeveritë për të ndërmarrë reforma në ato pika ku renditen më dobët.
BOX/////////////////////////
Rritja ekonomike në vitin 2010, rreth 2.5 për qind
Instituti për Studime Ekonomike në Vjenë, një organizëm tashmë i njohur për studimet e tij për Europën Qendrore dhe Juglindore, referuar zhvillimeve më të fundit ekonomike, jep edhe prognozat e para. Gjatë një raporti të tij të publikuar pak ditë më parë, ky institut parashikon që Shqipëria të ketë një rritje ekonomike prej 2.5 për qind për vitin 2011, i cili është në fakt larg asaj që pret qeveria. Ndërkohë që për vitin 2011, ky institut parashikon se vendi ynë të ketë një rritje ekonomike 3 për qind në të njëjtën linjë me disa institucione ndërkombëtare, por jo në të njëjtën linjë me qeverinë, e cila pret një rritje 5.5 për qind. Sipas studimit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, në një pjesë të mirë të vendeve të rajonit kërkesa e brendshme vijon të mbetet e ulët, ndërsa ndërtimi si sektor vijon të tkurrë investimet.
Shkurt////////////////////////
Donatorët, kredi 184 milionë dollarë për 400 km rrugë rurale
Një fond prej 184 milionë dollarësh kredi të buta do të përdoret për shtrimin e rrugëve rurale. Janë rreth 35-40 segmente ku do të punohet gjatë vitit 2011, me një gjatësi rreth 400 kilometra, kryesisht në rrugët dytësore. Fondi i kredisë është siguruar nga katër institucione financiare ndërkombëtare: Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, e cila do të ofrojë afërsisht 67 milionë dollarë; Banka Evropiane e Investimeve me afërsisht 67 milionë dollarë; Banka Islamike për Zhvillim me 40 milionë dollarë; Fondi OPEC me 10 milionë dollarë, shumë e cila arrin gjithsej në rreth 184 milionë dollarë. Sipas ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, këto fonde do të shkojnë për ndërtimin e rrugëve dytësore. “Ne parashikojmë që me këto fonde gjatë vitit 2011 të kontraktohen dhe ndërtohen 35-40 segmente rrugore, me një gjatësi totale prej rreth 400 km në të gjithë vendin”,- tha Pollo. Për vitin 2011 kanë përfunduar negociatat dhe janë ratifikuar në Parlament marrëveshjet e kredisë me donatorët, ndërsa negociatat vijojnë për projektet e tjera. Gjatë këtij viti pritet të përfundojnë negociatat e të ratifikohen në Parlament marrëveshjet e fundit me bankën gjermane “KfW”, me bashkëfinancim nga “IPA” dhe “JICA”, për kompletimin e financimit të këtij programi. Realizimi i programit “Rrugët rajonale dhe lokale” ka nisur prej vitit 2008, për financimin e rreth 1500 km rrugësh rurale, me një kosto prej 400 milionë dollarësh.
Greqia merr frymë e lehtësuar, shtyhet shlyerja e borxheve
Greqia ka marre frymë e lehtësuar pasi është ndezur drita jeshile nga BE-ja dhe FMN-ja për kohëzgjatjen e shlyerjes së paketës së ndihmës prej 110 miliardë euro. Pasi “Eurogrup-it” dhe “Ecofin” ranë dakord për dhënien e ndihmës ndaj Irlandës me një afat deri në vitin 2018, kanë deklaruar se do të shqyrtohet menjëherë edhe mundësia për ndryshimin e mënyrës së pagesës për Greqinë. Sipas kushteve fillestare Athina duhet të fillonte në maj të 2013-s të shlyente borxhin për një periudhë 2-vjeçare, ndërsa tani kjo pagesë do të fillojë të shlyhet në maj të vitit 2014 dhe do të përfundojë në vitin 2021. Burime diplomatike nga Brukseli e konsiderojnë këtë ngjarje si një frymëmarrje shpëtimi për Athinën dhe si një ngjarje që do të largojë frikën nga tregjet ndërkombëtare për sa i përket falimentimit të vendit. Greqia vetë kishte kërkuar një afat-zgjatje në pagesë dhe pro kësaj kërkese janë shprehur edhe komisioneri për Ekonominë, Oli Rehn, si dhe presidenti i BQE-së, Zhan Klod Trishe. Sipas burimeve qeveritare zgjatja e kohës së pagesës do të shoqërohet edhe me ngritjen e përqindjes së borxhit nga 5,2% në 6,05% ,e cila nënkupton se grekët vërtet që do të lehtësohen përkohësisht, por do t`u duhet të paguajnë më shumë para kreditorëve të tyre.
Aksionet e “BP”-së i shiten kompanisë “Bridas”
Kompania angleze “British Petroleum” (BP) njoftoi se ka rënë dakord që 60 për qind të aksioneve të saj në kompaninë "Panamerican Energy", t`ia shesë kompanisë “Bridas” që është aktive në fushën e naftës dhe të gazit. “BP”-ja ka vendosur që këto aksione që vlejnë 7.6 miliardë dollarë t`ia shesë kompanisë “Bridas” me qendër në Argjentinë.
30 Nentor 2010