E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në Shkodër, tërhiqet uji

Në Shkodër uji gradualisht po largohet por 14 ditë nga përmbytja komunat e Nënshkodrës mbeten të izoluara. Të dhënat më të fundit flasin për një përmirësim të situatës në hyrjen e qytetit dhe lagjet Perash e Xhabije. Këtu niveli i përmbytjes ka rënë ndjeshëm.

Në 24 orët e fundit tërheqja e ujit ka zbuluar shumë objekte të zëna më parë, megjithëse brenda qytetit dhe në rrethinave të tij ende raportohen nën ujë 1200 objekte, shumica shtëpi banimi. Largimi i ujit nga një pjesë e madhe e banesave ka bërë që rreth 3.335 persona të evakuar të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Por ende ka probleme të mëdha në komunat e Nënshkodrës. Oboti, Velipoja, Dajci dhe Bushati vijojnë të jenë të izoluar nga uji. Këtu mjet i vetëm komunikimi është varka pasi niveli i ujit është rreth 2 metra. Shpërndarja e ndihmave për banorët e këtyre zonave po bëhet me helikopterë.

Sipas shifrave që dalin nga Shtabi i Emergjencave rreth 600 hektarë tokë kanë dalë nga përmbytja. Sipërfaqja e tokës së mbuluar nga uji ka rënë në 10 800 hektarë nga 11. 440 hektarë që raportohej para dy ditësh. 

Adi Darsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›