E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, ndërkombëtarët tentojnë ndërmjetësim mes Berishës dhe Edi Ramës

Në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, Diplomacia ndërkombëtare ka ndërmarrë disa ecejake diplomatike, në përpjekje për të zgjidhur krizën e rëndë politike në vend. Pasqyra më e qartë e kësaj krize është bojkotimi i Kuvendit nga ana e PS-së për shkak, siç shprehen socialistët, “të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit”. Në përpjekje për të ulur palët, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme politike dhe për t’i nxjerrë nga qorrsokaku ku janë futur, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadori spanjoll, Emanuel Montobio, vend i cili ka dhe kryesinë e radhës së Presidencës së BE-së, kanë zhvilluar dje takime disaorëshe me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe me kryeministrin Sali Berisha. Fakti që takimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura, nën koperturën e “informacionit për prioritetet e presidencës spanjolle, siç janë fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lisbonës dhe risive që ai sjell në strukturën, institucionet dhe të drejtën europiane”, vihet re qartazi se Brukseli, nëpërmjet zyrtarëve të lartë të saj në Tiranë, është përfshirë në një tur negociatash, me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend.
Pas takimit për rreth 90 minuta me dyer të mbyllura në selinë e PS-së me kreun e saj Edi Rama dhe me deputetë të kësaj force politike, ambasadori Montobio, përsa i takon bojkotit, tha se Komisioni Europian ka bërë të ditur prej kohësh vendimin e tij, duke deklaruar se “dialogu duhet të vendoset mes palëve dhe të bëhet në institucione”. “Qëllimi i këtij takimi, siç e kam thënë edhe më parë, është prezantimi i prioriteteve të Presidencës spanjolle. KE e ka bërë të qartë se mënyra më e mirë për të mbrojtur pozicionet e tyre është dialogu konstruktiv nga ana e të gjitha partive politike. E unë këtu përfaqësoj Këshillin Europian, komunitetin europian”, - tha ambasadori Montobio. Ndërsa kreu i PS-së, Rama, nuk ka preferuar të japë asnjë koment lidhur me bisedimet që u zhvilluan në selinë e PS-së. Gjithashtu edhe ambasadori i KE-së, Lohan, ka zgjedhur të bëjë të njëjtën gjë, duke ia lënë stafetën për të folur ambasadorit spanjoll Montobio.

Qëndrimet e socialistëve
Deputetët socialistë si Erion Braçe, Ilir Beqja, Eglantina Gjermeni janë shprehur se vëmendja maksimale duhet përqendruar te përmbytjet dhe se grupi kuvendor socialistë nuk ndryshon vendimin nga bojkoti. Deputeti Braçe siguron se edhe në rast se betimi në Kuvend do të bëhet, bojkoti do të vazhdojë sërish i pandryshueshëm. "Si me betim, si pa betim, ne do të garantojmë deri në fund bojkotin dhe cilësinë e bojkotit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Berisha duhet të harrojë që mund të prodhojë një PS të re, qoftë dhe me ndihmën e zonjës plakë, Doris Pak. Nuk mund të krijojë dot një PS alternative. Të gjitha përpjekjet e Sali Berishës për të krijuar një PS alternative brenda PS-së do të dështojnë”, - tha Braçe.

Ambasadorët takojnë Berishën
Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, ambasadorët e KE-së e siguruan kreun e Ekzekutivit se BE-ja dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian, si dhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave. Përsa i përket situatës në Veri, Berisha u bëri me dije ambasadorëve planin e qeverisë shqiptare për të organizuar së shpejti një konferencë donatorësh për të mbledhur ndihmë dhe asistencë ekspertësh profesionistë, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara, si dhe për projektet mbrojtëse për këtë zonë.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›