Me hir ose me pahir, Fatmir Mediu duhet të paraqitet në Gjykatën e Lartë
Kolegji civil i jep 10 ditë kohë ministrit për tu përballur me padinë civile
Laureta Rryçi
Me hir ose me pahir, ministri Fatmir Mediu duhet të paraqitet në Gjykatën e Lartë për t’u përballur qoftë edhe një herë të vetme me akuzat për Gërdecin. Kolegji civil i kësaj Gjykate vuri dje në dijeni avokatin e Mediut, Ardian Visha, se klienti i tij e ka të detyrueshme të paraqitet në seancën e pajtimit. Mungesa e ministrit dhe vënia në dijeni për detyrimin e tij ndaj procesit civil e detyroi kolegjin të shtynte seancën e radhës për në datën 25 janar. Në sallë ishin të pranishëm vetëm pala paditëse dhe avokatët e tyre.
Procesi
Gjykata e Lartë nisi dje shqyrtimin e padisë së të miturit nga Gërdeci, i cili ka depozituar padi civile ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Seanca e parë nuk zgjati më shumë se 40 minuta. Ky është procesi i radhës ndaj Mediut, pas mbylljes së hetimeve nga Prokuroria. Trupi gjykues u drejtua dje nga gjyqtarja Ariana Fullani dhe për procedurë seanca e parë është seancë pajtimi mes dy palëve. Gjykata u jep palëve mundësinë e fundit për të zgjidhur konfliktin midis tyre në mënyrë që procesi civil të mos vazhdojë më tej. Mirëpo, ministri Mediu nuk ishte prezent, kështu që pritet që në seancën e ardhshme ai jo vetëm të njihet personalisht me akuzën, por edhe të shprehet nëse do ta ndjekë vetë procesin, apo do t’ia besojë avokatit të tij. Seanca u mbajt me dyer të mbyllura pa praninë e medias. Mësohet se avokati mbrojtës ka deklaruar se kishin prokurë nga ish-ministri i Mbrojtjes për ta përfaqësuar atë, por Kolegji Penal nuk e pranoi prokurën. Pas kësaj, trupi gjykues në drejtimin e Fullanit vendosi seancën e radhës më 25 janar.
Rikthimi
Çështja “Mediu” u rikthye dhe njëherë në vëmendje pas pushimit që iu bë dosjes penale në shtatorin që kaloi. Në fund të dhjetorit Gjykata e Lartë pranoi padinë civile të 12-vjeçarit Roxhers Durda. Padia është bërë për dëmtim nga tragjedia e Gërdecit, ku 12-vjeçari humbi të ëmën dhe personalisht mori shumë plagë në trup. Edhe gjatë ditës së djeshme i mituri u shpreh në prezencë të familjarëve të tij se ende kishte dhimbje në trup. Për të ishte shpresë te drejtësia që kur kishte mësuar që padia e tij u pranua për shqyrtim nga kjo gjykatë. I mituri, bashkë me xhaxhanë e tij, Feruzan Durda, u shprehën dje se ende nuk e kanë përcaktuar shumën që do të kërkojnë si dëmshpërblim ndaj ish-ministrit, ndaj të cilit kanë ngritur dhe akuzën. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
Në të njëjtën ditë, dy procese civile për ministrin Mediu
Trupa gjyqësore që po shqyrton padinë civile të të miturit përbëhet nga Arjana Fullani, relatore e Çështjes, Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Në të njëjtën datë, më 25 janar, do të nisë shqyrtimi i një padie të dytë ndaj ministrit Fatmir Mediu. Kësaj here padia është bërë nga e dëmtuara Alketa Hazizaj. Trupi gjykues përbëhet nga Andi Çeliku, relator i Çështjes, Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako.
16 Janar 2010