Gjermeni: “Qeveria të akordojë një fond të veçantë asistence për banorët në Veri”
Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, i bëri dje thirrje qeverisë që të akordojë një fond të veçantë asistence ekonomike për banorët e dëmtuar nga përmbytjet. Sipas saj, qeveria, si përgjegjëse kryesore e situatës në Veri, po tallet me viktimat e katastrofës, duke i futur në listën e familjeve të varfra. “Para dy ditësh qeveria shqiptare bëri të ditur se familjet e përmbytura në Shkodër do të futen në skemën e ndihmës ekonomike për familjet e varfra duke marrë kësisoj 7500 lekë të rinj në muaj për familje”, - u shpreh Gjermeni. “Kështu, pasi u shkatërroi shtëpi e katandi si pasojë e korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e kaskadës së Drinit, qeveria tashmë ka vendosur të tallet më viktimat e kësaj katastrofe, duke i futur ata në listën e familjeve të varfra”, - tha ajo. Në këtë kontekst, deputetja Gjermeni u shpreh se qeveria shpenzon miliona euro për spote, banderola e mitingje, ndërsa me familjet e dëmtuara nga papërgjegjshmëria e vet tallet, duke u dhënë lëmoshë. “Këto familje nuk janë thjesht dhe vetëm familje të varfra. Këto familje, si pasojë e katastrofës të shkaktuar nga Berisha, janë familje që sot kanë nevojë parësore mbijetesën. Të gjitha këto familje humbën shtëpitë, pronat e bagëtitë, pra humbën burimin e jetesës. Këto nuk janë thjesht familje të varfra, por janë familje që gjenden në mes të një emergjence, në kushte tej mase të vështira dhe të veçanta”, - u shpreh Gjermeni.
16 Janar 2010