E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasja në autobus, për të shtyrën"

 Etleva DeliaArben Goga, babai i tre fëmijëve që mbeti i vrarë dy ditë më parë në autobusin e linjës Tiranë-Ndroq, është përcjellë dje në banesën e fundit nga familjarët e tij. Vrasja e tij nga i dyshuari Nezir Malliku, la jetim tre fëmijët dhe të ve bashkëshorten 26-vjeçare të viktimës. Autori është arrestuar, madje edhe ka pranuar krimin, por vëllezërit e viktimës Arben Goga thonë se nuk mund ta kalojnë lehtë ngjarjen. Gjatë një bisede me familjarët e 37-vjeçarit, në banesën e tij në fshatin Ndroq, pranë urës së Beshirit në Tiranë, vëllezërit e dënuan ashpër ngjarjen. "Arbeni ishte njeri i qetë, që shikonte vetëm punën e tij dhe s'i binte në qafë njeriu. Jetonte nga fitimet që i sillte një dyqan i vogël pranë shtëpisë, ku shiste materiale ndërtimi dhe asnjëherë s'kishte pasur probleme me askënd", janë shprehur për gazetën "Panorama" të afërmit e 37-vjeçarit. Sipas tyre, është i pafalshëm një veprim i tillë vetëm për një të shtyrë dhe një fjalë goje në autobus. Burime nga policia thanë se dëshmia e bashkëshortes së viktimës, e cila ishte e pranishme bashkë me djalin 2-vjeçar në momentin e ngjarjes, por edhe rrëfime të 17 personave të tjerë që ndodheshin në autobus, kanë shpjeguar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ndërsa vetë i arrestuari Nezir Malliku, i akuzuar si autor i ngjarjes, pretendon se nuk i kujtohen detaje nga ngjarja. RREFIMI I FAMILJAREVEMomenti i vrasjes së Arben Gogës, siç duket do të mbetet një kujtim rrëqethës për bashkëshorten e tij, e cila sipas familjarëve po kalon një gjendje të vështirë pas asaj që ka ndodhur. Ajo tashmë mban mend vetëm momentin kur i shoqi është goditur me thikë në qafë, pasi më pas është rrëzuar në tokë pa ndjenja. E veja e 37-vjeçarit gjatë gjithë ditës së djeshme ka qëndruar nën kujdesin e mjekëve. Kunata e saj, Bukurie Goga, e cila ka dëgjuar rrëfimin e nënës 26-vjeçare, që tashmë do të rrisë e vetme 3 fëmijë të mitur, tregon se si ka ndodhur ngjarja në autobusin e Ndroqit. "Arbeni në mëngjes ishte nisur bashkë me gruan dhe djalin e vogël që të përcillnin motrën për tek familja e të fejuarit të saj në Sauk. Kur ka nisur të errësohej janë nisur për tu kthyer në shtëpi. Unë e njoh personin që e ka vrarë kunatin tim, e kisha parë disa herë, por Arbeni apo im shoq nuk e njihnin dhe s'kishin pasur konflikte me të më parë", është shprehur gruaja e vëllait të Arben Gogës. "Nusja e re e Arbenit na tregoi për ngjarjen. Ajo është e traumatizuar nga fakti që, për një fjale goje dhe me gjakftohtësinë më të madhe personi që ata kishin ngjitur në autobus, nxori thikën nga xhepi dhe e qëlloi drejt e në qafë duke i marrë jetën" Arbenit", ka treguar Bukurie Goga. Ajo tregoj se të afërmit e kanë pritur mirë arrestimin e tij nga policia, por sipas tyre, autori meriton një ndëshkim më të rëndë sesa burgu.Precedenti, vrasësi dogji shtëpinë e tijTIRANE - Ndryshe nga dy ditë më parë, gjatë deklarimeve që dha pas arrestimit, i dyshuari për vrasje, Nezir Malliku, gjatë dëshmisë së dhënë dje në polici ka dhënë disa detaje për krimin edhe pse pohon se disa momente nuk i kujtohen. Pas arrestimit ai kishte pohuar se ka pasur sherr me viktimën në autobus, por nuk mbante mend ta kishte qëlluar me thikë, dje ai e ka pranuar edhe këtë fakt, duke pranuar kështu krimin për të cilin akuzohet. "E kam goditur me thikë, por nuk isha i vetëdijshëm në atë moment", mësohet se është shprehur 42-vjeçari para oficerëve të policisë. I dyshuari ka sqaruar edhe një detaj tjetër, të cilin dy ditë më parë nuk e ka përmendur. Malliku ka treguar për policinë, se thika që i është gjetur kur u arrestua, nuk ishte arma e krimit. Sipas tij thikën me të cilën ka goditur 37-vjeçarin, e ka hedhur në lumin e Lanës. Dëshminë e tij i dyshuari e ka mbyllur duke thënë se është penduar, por ka qenë i pirë kur ndodhi ngjarja. Policia ka zbuluar në dosjet e dy viteve më parë, se Nezir Malliku, është një person me precedentë të mëparshëm. Sipas policisë, 42-vjeçari ka kaluar disa ditë në paraburgim, i denoncuar nga vetë babai i tij, pasi i kishte vënë flakën shtëpisë së tij në fshatin Pezë.                            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›