E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Heqja e vizave në korrik 2010

 BLEDAR HOTILiberalizimi i vizave për Shqipërinë do të jetë i mundur në korrik të vitit 2010. Kështu deklaroi Presidenti i Parlamentit evropian, Jerzy Buzek, pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. "Unë mund të them nga ana ime, dhe mesa kam dijeni nga negociatat sot, kjo do të jetë e mundur në korrik të vitit 2010, pra në gjysmën e vitit dhe unë e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo për qytetarët shqiptarë dhe për politikanët shqiptarë, për t'u treguar qytetarëve të tyre se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne jemi shumë të hapur për këtë", tha Buzek. Ai theksoi se PE e ka mbështetur pa ekuivoke liberalizimin e vizave dhe kjo është bërë publike dhe me anë të deklaratave. "Unë do të doja gjithashtu të nënvizoja se Parlamenti Evropian e vlerëson shumë të rëndësishme që në Parlament të ndërmerren reforma për të luftuar krimin e organizuar dhe kjo është e domosdoshme edhe për vetë vendet anëtare të BE-së, ashtu sikurse e pohoi dhe vetë zonja Kryetare, edhe Kryeministri Berisha, që e kam takuar disa herë në takime ndërkombëtare", tha Buzek. Kreu i PE-së shtoi se "ne kemi ndërmarrë shumë reformat për të gjithë vendet e BE-së, sipas programit tonë të Stokholmit dhe në këtë pikë edhe kërkesa për palën e ftuar për të bërë reforma për të ndryshuar disa gjëra, është shumë e rëndësishme gjithashtu. Kështu në shumë këndvështrime do të thosha që deklarata është optimiste". Kryeparlamentarja Topalli tha nga ana e saj tha se "unë dëshiroj të falënderoj Presidentin për gatishmërinë e tij, veçanërisht tani që Parlamenti Evropian ka më shumë autoritet dhe është një forcë drejtuese në të gjitha proceset e Bashkimit Evropian". "Për këtë arsye, me këtë autoritet që Presidenti Buzek dhe PE ka, unë jam shumë e bindur se ne kemi një mbështetje më të fortë nga Parlamenti Evropian për të përfunduar këtë proces urgjent, procesin e liberalizimit të vizave. Fjalët që Presidenti tha më parë janë shumë inkurajuese për ne dhe për shqiptarët, për të cilët liberalizimi i vizave është ditë shumë e rëndësishme", theksoi Topalli. Buzek ka trajtuar dhe çështjen e bojkotit të opozitës, duke theksuar se është i dëmshëm. "Unë do të thosha diçka nga këndvështrimi im. Nëse nevojiten të ndryshohen shumë gjëra në vendin tuaj, ashtu sikur dhe në vende të tjera, në të vërtetë nevojitet një bashkëpunim midis opozitës dhe pozitës. Ne e dimë se gjithnjë ka tensione ndërmjet koalicionit (pozitës) dhe opozitës, dhe në çdo vend demokratik ekziston kjo, por një lloj bashkëpunimi është i domosdoshëm, specifikisht në këto momente kur të dyja palët, pozita dhe opozita në Shqipëri duan të hyjnë si shtet në BE. Pra në këtë pikëpamje, duke qenë përgjegjëse, bojkote të tilla janë shumë të këqija, të dëmshme sepse nuk jep shumë mundësi për të bashkëpunuar", tha Buzek. Ndërsa kryeparlamentarja theksoi se opozita i ka të gjitha hapësirat e duhura për të ardhur në Parlament, për të diskutuar dhe për të ngritur komisione hetimore për çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën. "Në Kuvend ne kemi arritur dhe do të arrijmë, dhe për këtë jam e sigurt, kompromise dhe negociata shumë të rëndësishme. Ndaj edhe shfrytëzoj rastin për t'i ftuar që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, për të respektuar mandatin që i kanë dhënë shqiptarët për liberalizimin  e vizave për integrimin e Shqipërisë në BE dhe mbi të gjitha për të gjitha reformat e tjera dhe sfidat e rëndësishme që kemi përpara", tha Topalli. Një temë tjetër ka qenë situata më e fundit në Shqipëri, e krijuar nga përmbytjet. "Ne vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për menaxhimin e situatës, për evakuimin e njerëzve nga zonat e rrezikuara dhe siç tha zonja Kryetare disa minuta më parë, e gjitha kjo mbështetet gjerësisht nga Parlamenti Evropian. është një situatë tipike, ku ne do të tregojmë ndihmën dhe mbështetjen tonë në këtë rast", tha Buzek. Kryeparlamentarja iu drejtua kreut të PE-së me fjalët "faleminderit për ndihmën që vetë Presidenti, por edhe Parlamenti evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre ditëve të vështira të përmbytjes, ndihmën konkrete që Komisioni i ka dhënë dhe do të vazhdojë t'i japë Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›