I arrestuari me drogë, falsifikon shkresat e shoqatës së bamirësisë
TIRANE - Policia e Tiranës gjatë orëve të vona të së hënës ka arrestuar katër persona dhe ka sekuestruar në total rreth tre kilogramë hashash e 63 gramë kokainë, në tri zona të ndryshme në kryeqytet. Burime nga policia thanë se në rrugën "Mine Peza" oficerët e antidrogës kanë arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin Fjoralb Gjeloshi, i cili kishte me vete 2 qese me bimë të dyshuar kanabis sativa. Më pas gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, Gjeloshit i është gjetur dhe sekuestruar edhe rreth një kilogramë bimë narkotike, gjithashtu edhe disa dokumente të falsifikuara. Burimet sqaruan se 303 formularë fals të sekuestruar në banesën e të riut, kishin mbishkrimin e "Fondacioni Bamirës Kosova" dhe dyshohet se përdoreshin nga i arrestuari për të bërë të mundur kalimin e drogës në anën tjetër të kufirit. Në këtë mënyrë mësohet se ka nisur hetimi për persona të tjerë, që mund të bashkëpunojnë me Fjoralb Gjeloshin, jo vetëm për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, por edhe për trafikim. Ndërsa Antidroga nuk e ka lënë aksionin, vetëm disa orë pas arrestimit të 19-vjeçarit. Në rrugë operative është marrë informacioni se në një makinë me targa të huaja, e parkuar te "Casa Italia", kishte lëndë narkotike. Oficerët e Komisariatit Nr.6 në bashkëpunim me ata të Antidrogës, janë nisur menjëherë në vendin e ku ndodhej automjeti dhe kanë arrestuar 23-vjeçarin Endrit Demaj e 26-vjeçarin Gentian Dega. Burimet sqaruan se arrestimi i tyre ka ardhur pas kontrollit të automjetit tip "Pasat" me targë MI OW 5663 është gjetur një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Një qese me 1150 gramë hashash u gjet e fshehur në derën e shoferit, ndërsa në levën e marshit ishin fshehur disa doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, në një sasi totale prej 63 gramësh. Pak minuta pas arrestimit të tyre, një tjetër 19-vjeçar përfundoi në pranga për të njëjtën akuzë, "prodhim dhe shitje lëndësh narkotike". Burime nga policia sqaruan se Ardit Ulndreaj, u kap me rreth 700 gramë marijuanë. Fillimisht atij iu gjet me vetë një sasi e vogël bime narkotike, më pas pakot e tjera iu gjetën gjatë kontrollit në banesë.