E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, kthehej nga Apolonia, vdes dhëndri



FIER - Një aksident tragjik ka marrë jetën e dhëndrit vetëm dy ditë përpara dasmës. Axhem Resulaj, 25 vjeç nga Patosi, ka humbur jetën pas përplasjes së makinës së tij me një kamion. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Fier-Patos. Dyshohet se ka qenë parakalimi i gabuar nga ana e viktimës, që ka sjellë përplasjen e automjetit tip ëolksvagen Passat, të cilin e drejtonte Resulaj, dhe një kamioni-betoniere. Autovetura, me targë MK 2915 A, është përplasur fuqishëm me makinën e tonazhit të lartë që vinte përballë, në krahun e drejtuesit të mjetit, çka ka bërë që i riu të mos mbijetojë dot. Nga burime të policisë konfirmohet se 25- vjeçari sapo ishte kthyer nga Apolonia, ku kishte xhiruar edhe një klip me nusen. Filmimet në zonën antike do të shfrytëzoheshin për të bërë videon e dasmës. Në kthim, Resulaj, banor i Patosit ka qenë në makinë me një kushëririn e tij, kur ndodhi dhe përplasja fatale. Policia, që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se plagët e marra kanë qenë të rënda, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa kushëriri i tij është plagosur. Forcat e saj në vend kanë bërë transportimin e trupit drejt morgut të spitalit, ndërsa është shoqëruar për në komisariat drejtuesi i kamionit. Resulaj do të martohej këtë të dielë me një vajza nga Fieri, por aksidenti tragjik e ka shndërruar në mort dasmën e të riut. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›