E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, rrezik për epidemi dhe shembje ndërtesash



SHKODËR – Prania e ujit prej më shumë se një jave në sipërfaqet e mëdha të Shkodrës rrezikon përhapjen e epidemive dhe shembjen e ndërtesave, sidomos të atyre që janë ndërtuar para vitit 1990. Mbretëria 14 mijë hektarëshe e ujit ka sjellë përzierjen e rrjeteve kanalizuese të ujërave të zeza dhe të bardha, gjë që tashmë përbën rrezik serioz për shëndetin e banorëve të qytetit të Shkodrës dhe zonave përreth që janë prekur nga katastrofa. Gjatë ditës së djeshme, edhe ekspertët e ndërtimit kanë komentuar rreziqet për godinat, në themelet e të cilave ka ujë prej 7 ditësh. “Një tërmet në këtë periudhë do të kishte pasoja fatale”, - thotë specialistja Luljeta Bozo.
Për shkak të temperaturave të ulëta, deri tani nuk ka shenja serioze të përkeqësimit të treguesve mjedisorë, por, nëse nuk do të ketë masa serioze për glorifikimin e vazhdueshëm të rrjetit ujor, jeta e banorëve do të jetë në rrezik.

Mjedisi dhe shëndeti

Kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza prej disa ditësh janë përzierë me njëri-tjetrin dhe fekalet kanë dalë në sipërfaqen e ujit, në rrugët e qytetit të Shkodrës. Specialistët pohojnë se ditët në vijim do të sjellin probleme për shëndetin e banorëve, pasi rrezikohet përhapja e epidemive. Në ditën e tetë të përmbytjeve në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat, shëndeti i njerëzve në këto zona ka më shumë rreziqe. Veprimet për minimizimin e rreziqeve janë të kufizuara, pasi prania e ujit është ende në nivele të larta.

Ndërtimet
Tani duhet t’i falemi Zotit që të mos na sjellë ndonjë tërmet, pasi do të kishte pasoja katastrofike. Një gjë të tillë e thonë specialistët. Luljeta Bozo, eksperte në Institutin e Ndërtimit, tha dje për mediat se duhet të bëhet identifikim i godinave të banimit sipas kritereve të ndërtimit të tyre dhe veçanërisht themeleve të tyre. Godinat që janë ndërtuar para vitit 1990 duhen parë me vëmendje, sidomos në muraturë. Nëse ato janë ngritur mbi themele me gurë gëlqerorë, rreziqet janë shumë të mëdha. Sipas ekspertëve, guri gëlqeror që ka damarë (dolomite) shpërbëhet shumë shpejt dhe humb rezistencën. Godinat që janë ndërtuar para viteve ‘90 kanë përdorur materiale të tilla në ngritjen e tyre. Edhe ndërtesat e reja mund të përballen me probleme, të cilat kushtëzohen nga cilësia e tullave. Uji që është futur brenda krijon deformime shtesë, që janë të paparashikuara dhe një tërmet në këto zona do të ishte fatale”, - thotë Bozo.
Mbi 2800 banesa në qytetin e Shkodrës dhe rrethina janë nën ujë. Rreth 25 për qind e qytetit është e përmbytur. Dëmet janë të konsiderueshme, jo vetëm në prishjen e orendive në banesa, por edhe në dobësimin e konstruksionit të ndërtesave.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›