E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, sot 1100 ha tokë më pak nën ujë

TIRANë- Sipas të dhënave nga ministria e Brendshme, sipërfaqja e tokës së përmbytur përmirësohet dita ditës, duke u ngushtuar edhe me 1100 ha të tjerë, nga 4964 ha ditën e djeshme sot është 3864 ha tokë nën ujë. Të evakuuar mbeten ende 1023 persona nga 1643 ditën e djeshme, pra në shtëpitë e tyre janë krhyer edhe 620 persona të tjerë. Ndërkohë që vazhdon të ketë ende shtëpi me prezencë uji dhe të rrethuara nga uji, kështu, 83 shtëpi janë sot me prezencë uji nga 135 ditën e djeshme. Të rrethuara nga uji janë 456 shtëpi, nga 486 shtëpi që rezultonin dje. Aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave të prekura nga përmbytja mund të qarkullohet lirisht me të gjitha llojet e automjeteve. Mësohet se Strukturat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me Bordet e Kullimit janë duke punuar për përforcimin e argjinaturave në Mushan, Shirq, Dajç, Samrisht i Ri, Samrisht i Vjetër dhe Rrushkull, ndërsa vazhdon shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe ushqimeve për bagëtinë në bazë të planit të miratuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile. Sipas deklaratës së ministrisë së Brendshme edhe efektivat e Gardës së Republikës kanë mbledhur një kontribut prej 2 363 100 lekë për banorët e zonave të përmbytura.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›