Përmes fjalëve dhe veprave, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje dhe vendosmëri

Kongresmeni Eliot Engel paraqet deklaratë për nder të Azem Hajdarit
Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim. Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji
Anëtari i Kongresit amerikan Eliot Engel paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin e lëvizjes për demokraci në Shqipëri në 15 vjetorin e vrasjes. Përmes fjalëve dhe veprave, thuhet në deklaratë, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim. Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t’i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda.Gjatë konfliktit në Kosovës, thuhet në deklaratën e Kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.
Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Zoti Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri. Më 12 shtator, shqiptarë nga i gjithë vendi, nga Kosova dhe vende të tjera do të mblidhen për ceremoninë e rivarrimit të Azem Hajdarit, i cili do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.
Sot, ceremonia për Azem Hajdarin, bashkia publikon axhendën/Sot, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azem Hajdarit do ta përcjellin atë drejt Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Bashkia e Tiranës publikon axhendën e ceremonisë së organizuar për të nderuar Heroin e Demokracisë. Homazhet do të nisin në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve. Në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ndërsa në 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish – Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.
Biografia e Azem Hajdarit:
-Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
-I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
-Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
-Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
-Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
-Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
-Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;
Aktiviteti Politik:
-Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
-Dhjetor 1990 – shkurt – Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
-1991 – 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
-31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
-22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
-26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
-29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
-1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
-Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare
-Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
-1995 – 1998 – President i klubit të futbollit “Vllaznia” – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale