E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, bie nga pema në ujërat e Vjosës, zhduket 17-vjeçari



PERMET - Rrjedha e lumit Vjosa përpiu pasditen e djeshme një 17-vjeçar. Ndonëse kufoma e Kristo Gjokës, nga fshati Petran, nuk është gjetur nga ana e policisë së Përmetit prej lumit, burimet zyrtare nga ky organ kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se kërkimet priten të fillojnë ditën e sotme. Kjo si pasojë e rrymës së fortë të Vjosës nga prurjet e shumta të reshjeve gjatë ditëve të fundit në këtë rajon. Mbytja e adoleshentit ndodhi pasi ai ra nga një lartësi prej 10 metrash, nga një degë peme anës bregut të lumit, në zonën mes kufirit administrativ që ndan rrethin e Tepelenës me atë të Përmetit. Bashkë me një shokun e tij, Gjoka kishte dalë për të mbledhur dru. Ai është ngjitur mbi pemë, por dyshohet se dega e kalbur është thyer, duke përfunduar në lumë bashkë me adoleshentin. Shoku i tij mësohet se ka përfunduar në spital me disa plagë në trup. Sipas mjekëve, adoleshenti i mbijetuar është në gjendje shoku, pas zhdukjes në ujë të shokut. Dy djemtë kishin shkuar shpesh në këtë zonë, duke mos e marrë parasysh rrezikun. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›