E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skrapar, 6 komuna të bllokuara nga dëbora



SKRAPAR - Dëbora dhe dëmtimi i akseve nga rrëshqitja e dherave kanë bllokuar gjashtë komuna të Skraparit. Banorët e kësaj zone japin alarmin për ndihma, pasi janë në mes të të ftohtit pa ushqime dhe ilaçe. Shumë fshatra janë të bllokuara nga reshjet e dëborës, ndërsa kafshët e egra rrezikojnë jetën e banorëve, sidomos të fëmijëve. Komunat më problematike janë Vëndresh, Gjerbës, Zhepë, Potom, Backa, por edhe mjaft zona të tjera të këtij rrethi janë tërësisht të izoluara. Kryetari i komunës Vëndresh, Sulejman Dervishi, u shpreh se tetë fshatrat e kësaj komune, janë të izoluar prej 10 ditësh. “Kjo situatë është krijuar nga dëbora dhe rrëshqitja e dherave në masive të madha. Të gjithë fshatrat e bllokuara po vuajnë pasojat e mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve, ndërsa nxënësit kanë mbetur pa mësim”, u shpreh Drevishi. Sipas tij, mjaft të sëmurë nuk mund të marrin ndihmën mjekësore pasi mjetet nuk lëvizin drejt qyteteve. Një situatë mjaft alarmante u regjistrua dje, kur një makinë që po transportonte katër të sëmurë për në spitalin e qytetit, u bllokua në shtratin e lumit Osum. Të sëmurët përjetuan momente tmerri e paniku, pasi rrjedha e lumit rrezikonte mjetin foristradë. Banorët e zonës ndërhynë menjëherë, për të shmangur ndonjë tragjedi. Ata janë futur në lumë duke nxjerrë prej andej të sëmurët, të cilët më pas janë transportuar me batanije drejt çorovodës. Kryetari i komunës Gjerbës, Dilaver Zyka, u shpreh se e gjithë kjo zonë është e bllokuar nga dëbora e ditëve të fundit. “Ne kërkojmë ndihmën e shtetit për këtë gjendje në të cilën ndodhemi. Banorët nuk kanë rezerva ushqimore, ndërkohë që kemi edhe të sëmurë, të cilëve u duhet të kurohen në spital”. Një tjetër problem që ai evidentoi janë edhe kafshët e egra. Sipas Zykës, kope ujqërish të uritur kanë zbritur në zonat e banuara dhe rrezikojnë të sulmojnë banorët. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›