E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Masë kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar largimin e kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri nga Gjykata e Tiranës. Ai i ka bërë një kërkesë për procedim disiplinor Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pikërisht në kohën kur Bejleri ka hedhur kandidaturën për kryetare e Gjykatës së Tiranës. Ministri Alibeaj e ka argumentuar këtë kërkesë për masë ndaj gjyqtares Bejleri, se ajo e ka vonuar procesin gjyqësor për një çështje. E për këtë, kërkohet transferimi i saj jashtë Gjykatës së Tiranës për një periudhë kohore 1-2 vjet, ndërkohë që Bejleri ka qenë një ndër kritikueset më të ashpra të ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore.
Në vitin 2007, pikërisht në shortin e datës 7 qershor 2007, gjyqtares Manjola Bejleri i ka rënë për shqyrtim një çështje civile. Menjëherë ajo i është drejtuar për vërejtje kryetarit të gjykatës dhe më 8 qershor të atij viti, pra një ditë më vonë, ka bërë një kërkesë me shkrim për rihedhjen e shortit të kësaj çështjeje. Në kërkesë, ajo ka parashtuar se nga përmbajtja e objektit të padisë bëhet fjalë për një konflikt të pastër civil. Por, nga të dhënat e sistemit kompjuterik, është konstatuar se kjo çështje ishte përcaktuar si çështje tregtare dhe ishte hedhur në short në seksionin tregtar. Kështu, Bejleri ka argumentuar se përcaktimi i saj si çështje tregtare ka qenë i gabuar, pasi në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me asnjë nga rastet që parashikon neni 334 i Kodit të Procedurës Penale, që përcakton se cilat janë çështjet me natyrë tregtare dhe që duhet të gjykohen për kompetencë nga seksioni tregtar. Kështu, ajo ka kërkuar rihedhjen e shortit me gjithë gjyqtarët e dhomës civile, pra të tri seksioneve dhe jo vetëm atij tregtar. Kjo është hedhur poshtë nga kryetari i gjykatës me datë 14 qershor 2007, me arsyetimin se ai si kryetar nuk ka konstatuar asnjë shkak për ta anuluar apo përsëritur shortin e kësaj çështjeje civile. Duke mos qenë e të njëjtit mendim dhe për të evituar çdo dyshim, Bejleri, më datë 18 qershor 2007 i është drejtuar për mendim Inspektoratit të KLD-së. Pas insistimit për një përgjigje nga ana e Bejlerit, vetëm katër muaj më vonë, pikërisht më datë 29 tetor 2009, inspektori i KLD-së, Izet Salaj, ka dhënë një përgjigje të shkurtër. Ndërsa në kërkesën për masë disiplinore, ministri Alibeaj ka argumentuar se kërkesa që kishte bërë Bejleri në KLD nuk ishte objekt i punës së Inspektoratit të KLD-së, kjo duke e parë në këndvështrimin që t‘i japë një zgjidhje këtij problemi, apo të mundësisë për të ndërhyrë dhe zgjidhur këtë pretendim të gjyqtares, pavarësisht se asaj nuk i është dhënë kjo përgjigje që priste prej katër muajsh.
Ministri ka deklaruar gjithashtu se, duke e ndjekur në vijim këtë çështje, më datë 23 shtator 2007, nga Inspektorati i KLD-së u konstatua se gjyqtarja nuk e kishte vënë në lëvizje çështjen, pra nuk kishte caktuar datë për gjykimin e saj. Për këtë arsye është mbajtur procesverbal dhe më 29 tetor, asaj i është dërguar një shkresë nga Inspektorati i KLD-së, ku i është shpjeguar se "moskryerja e veprimeve për zhvillimin e gjykimit të çështjes përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor". Përsëri, pikërisht më 2 nëntor, Bejleri i është drejtuar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sërish gjyqtarja ka kërkuar thjesht një përgjigje me shkrim, me qëllim që çështja të mos mbetet peng. Por, përsëri ajo nuk ka marrë një përgjigje deri më 3 mars 2008. Me këtë datë ka mbërritur një shkresë e ministrit Alibeaj, i cili pretendonte shkelje të disiplinës së punës. Madje, asaj i është kërkuar një observacion në lidhje me këtë shkresë.
Për këtë, në kërkesën e ministrit Alibeaj, drejtuar KLD-së, deklarohet se pavarësisht pretendimeve të gjyqtares për hedhjen e shortit, ajo duhej të vazhdonte gjykimin e çështjes për të mos krijuar shqetësime dhe zvarritje të panevojshme për palët në proces. Për këto arsye, ministri i Drejtësisë ka vendosur t‘i propozojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor të gjyqtares Manjola Bejleri, duke u bazuar në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Alibeaj ka kërkuar të vendoset masa disiplinore "dërgim për 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor, ku gjyqtari ka emërimin e tij".
Megjithatë, kjo masë është kërkuar pikërisht në kohën kur gjyqtarja Bejleri ka hedhur kandidaturën për kryetare e Gjykatës së Tiranës, pavarësisht se që prej muajit mars ministri e kishte shprehur një gjë të tillë. Madje, edhe pas fillimit të procesit gjyqësor, avokatët kishin kërkuar përjashtimin e Manjola Bejlerit nga gjyqtar i çështjes, pikërisht të bazuar mbi argumentet që vetë ajo i kishte paraqitur Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë. Madje, palët mbrojtëse kanë kërkuar përjashtimin e saj për ripërtëritjen e shortit, me qëllim që në të, të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e dhomës civile dhe jo vetëm ata të seksionit tregtar. Kështu, më 4 shkurt të vitit 2008 është vendosur përjashtimi i Bejlerit nga kjo çështje, pikërisht ajo që kishte kërkuar vetë gjyqtarja, e që tashmë për të është kërkuar procedim disiplinor.

Intervista

"Masa disiplinore që kërkohet ndaj meje është antikushtetuese dhe diskriminuese"

Bejleri: Ja pse nuk frikësohem
nga kërkesa e ministrit Alibeaj

Menjëherë pas kërkesës së ministrit Alibeaj për largimin e kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve, ka reaguar vetë Bejleri, duke deklaruar se nuk i frikësohej asgjëje derisa ajo ka zbatuar vetëm ligjin. Në një intervistë për "Shqip", ajo është shprehur se do ta presë e qetë vendimin e KLD-së dhe më pas do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për zgjidhjen përfundimtare.
Si e komentoni kërkesën e ministrit Alibeaj për masë disiplinore ndaj jush?
Për një gjë të tillë jam vënë në dijeni që në muajin mars të vitit të shkuar dhe mendoja se pas observacionit që kisha dhënë, kjo çështje ishte mbyllur. Por, pikërisht sot jam vënë në dijeni se ai ka kërkuar procedim disiplinor në KLD ndaj meje. Unë mund të shpjegoj se të gjitha dokumentet e vëna në dispozicion janë bërë bazuar në ligj dhe për këtë arsye mendoj se nuk kam kryer asnjë vonesë për proces gjyqësor, ashtu siç pretendohet në këtë kërkesë. Madje, kjo ishte një kërkesë për rihedhjen e shortit, që u ndërmor nga mua dhe fillimisht nuk kishte ankesa nga asnjëra palë. Megjithatë, çështja që unë kërkova të zgjidhej, duke u bazuar në ligj, po kthehet kundër meje. Bëra gjithë kërkesat e mia, drejtuar edhe KLD-së dhe nuk m‘u dha asnjë përgjigje, veçse më vunë në dijeni pas katër muajsh se po vonoja një proces gjyqësor.
Si vepruat pas shkresës së ardhur nga Inspektorati i KLD-së?
Vura çështjen në lëvizje, por ashtu siç kisha pretenduar edhe unë, ndodhi kërkesa për përjashtimin tim, pikërisht bazuar në ato pika, ku isha bazuar edhe unë. Palët mbrojtëse kërkuan që unë mos të isha gjyqtarja e çështjes, pasi nuk ishte respektuar procedura e hedhjes së shortit dhe më 4 shkurt të vitit 2008 u bë përjashtimi im nga kjo çështje. Ndërsa në mars të vitit 2007, ministri i Drejtësisë më kërkoi një observacion për një pretendim për shkelje të disiplinës në punë nga ana ime. Edhe këtë observacion e bëra, duke përsëritur pikërisht ato pretendime që kisha deklaruar në kërkesën drejtuar KLD-së. E që atëherë nuk ka pasur asnjë zhvillim tjetër.
Po si e argumentoni këtë kërkesë pikërisht në kohën kur ju keni hedhur kandidaturën për kryetare të Gjykatës së Tiranës?
Është e vërtetë që kam hedhur kandidaturën për kryetare gjykate dhe këtë çështje të nisur që në vitin 2007, e që nuk ka pasur asnjë zhvillim pas marsit të vitit 2008, e kisha menduar si të mbyllur. Por, tashmë do ia lë në dorë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nëse ata vendosin kundër meje, atëherë do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar të drejtën time. Megjithatë jam në pritje të vendimit të KLD-së?
Për ju është propozuar një masë, të cilën e keni kundërshtuar që kur po përgatitej projektligji?
Është e vërtetë dhe nuk kam qenë kurrë dakord në lidhje me këtë masë disiplinore, që tashmë është brenda një ligji të miratuar dhe që është propozuar edhe ndaj meje. Masa disiplinore ka të bëjë me largimin tim nga Gjykata e Tiranës për një periudhë 1-2 vjet në një gjykatë të po të njëjtit nivel. Atëherë, argumentoj se kjo masë është shkelje kushtetuese, pasi drejtësia është e njëjtë në të gjithë vendin. Nëse ne cilësojmë se i kemi dhënë masë një gjyqtari duke e hequr nga një gjykatë dhe duke e çuar në një tjetër, atëherë do të thotë se ajo gjykatë nuk është e të njëjtit nivel drejtësie, duke diskriminuar jo vetëm sistemin gjyqësor dhe gjyqtarët që punojnë në atë gjykatë, por edhe vetë personat që gjykohen. Kjo është një shkelje kushtetuese dhe detyrimisht që nuk kam qenë dakord kurrë me të. Ble. Gi.

Kundërshtimet

Bejleri, kritikuesja
e ligjeve të Alibeajt

Manjola Bejleri ka qenë ndër të parat dhe më të vendosurat me kritikat e ashpra të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore, i cili, sipas saj, vendos gjykatat nën kontroll të plotë të ministrit. Bejleri ka kritikuar gjithashtu tejkalimin e kompetencave të kancelarit, që rrjedhin nga ky projektligj. Dihet tashmë që dy nene të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor prej nga rrjedh edhe projektligji për administratën gjyqësore, janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese si të papajtueshme me Kushtetutën. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kritikuar të gjitha ligjet për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor të hartuara nga Ministria e Drejtësisë. Zëri i Shoqatës së Gjyqtarëve ishte mjaft i ndjeshëm edhe në debatin për ligjin e dosjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›