E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria kërkon njeriun që di "sekretet" e piramidave

Shqipëria kërkon njeriun që mendohet se di sekretet e piramidave shqiptare. Apostolis Vavilis është shpallur në "kërkim" nga shteti shqiptar, pasi është zyrtarisht debitor në shumën e 200 mijë USD te firma VEFA. Grupi shqiptar, që ka zhvilluar disa ditë më parë takime në Greqi, i përbërë nga zyrtarë të grupit aktual mbikëqyrës të firmave piramidale, avokaturës së shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë greke informacione për Vavilis se ku ndodhej dhe nëse pala shqiptare mund ta kishte në dispozicion atë për të thithur informacione për piramidat shqiptare. Përgjigjja e palës greke ka qenë se nuk e dimë se ku ndodhet, pasi ka kohë që është liruar nga burgu, pas arrestimit në Itali. Vavilis, krahas huas 200 mijë USD që ka marrë nga Vehbi Alimuça, dyshohet se është edhe bashkëpunëtori i disa nënkontraktorëve të kompanisë piramidale VEFA. Ka të dhëna se ish-agjenti grek ka eksportuar nga Shqipëria në Greqi të paktën 150 milionë USD, pas falimentimit të shoqërisë VEFA.

Largimi i Vavilis
Disa javë më parë, zyrtarët shqiptarë kanë kryer takime në Greqi, me qëllim identifikimin e parave të piramidave shqiptare që kanë përfunduar në shtetin helen. Krahas interesimit për paratë e shoqërive huamarrëse "Cenaj", VEFA dhe "Gjallica", prioritet ka qenë takimi i shtetasit Apostolis Vavilis, i cili është cilësuar si njeriu i sekreteve të piramidave shqiptare. Kreu mbikëqyrës i firmave piramidale, Bajram Malaj, i cili ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar, thotë për gazetën se zyrtarisht Vavilis është debitor në shtetin shqiptar me 200 mijë USD. "Për sa i përket Vavilis, i cili është akuzuar si agjent i shumëfishtë dhe njëkohësisht nga ne është shpallur debitor në shumën 200 mijë USD, morëm kontakt me autoritetet greke dhe na thanë se ka kohë që është larguar nga burgu", u shpreh Malaj. Sipas tij, drejtësia greke kishte informuar zyrtarët shqiptarë se nuk kishin asnjë dijeni se ku mund të ishte aktualisht Vavilis. "Është larguar në drejtim të paditur", ka qenë përgjigjja e prerë e zyrtarëve të drejtësisë greke, të cilat nuk kanë dhënë asnjë koment më shumë për ish-agjentin e shërbimeve sekrete helene.

Lirimi nga burgu
Në vitin 2005, Apostolis Vavilis është arrestuar në qytetin e Bolonjës në Itali, për llogari të shtetit grek. Disa kohë pas arrestimit, ai u ekstradua në vendlindje, ku ndaj tij filloi një proces gjyqësor. Por, në datën 30 mars 2008, Vavilis, i mirënjohur në Shqipëri për implikim në firmat piramidale në vitin 1997, është liruar nga një gjykatë greke. Vavilis, pasi u akuzua për implikim në firmat piramidale në vendin tonë në 1997-ën, u la i lirë nga gjykata greke, kundrejt një garancie pasurore prej 10 mijë eurosh. Këshilli i një gjykate speciale ka vendosur se Vavilis nuk është person i rrezikshëm, por ka dhënë urdhër për ndalimin e daljes së tij nga Greqia dhe paraqitjen e tij të detyruar në rajonin e policisë sa herë t‘i kërkohet kjo gjë. I njohur si "njeriu me një mijë fytyra", Vavilis u akuzua për implikim në firmat piramidale në Shqipëri dhe u përfol për lidhjet e tij me Vehbi Alimuçaj. Por, Vavilis prej kohësh ishte liruar nga gjykata greke dhe nga akuza për implikim në firmat piramidale për mungesë provash. E vetmja akuzë ndaj tij ishte vetëm ajo e falsifikimit të pasaportave, për të cilën do paguajë garancinë. Ndaj tij kanë rënë edhe akuzat e shkeljes së marrëveshjeve të fshehta, vjedhjes dhe mashtrimit për objekte me vlera të mëdha.
Vavilis u arrestua në Bolonja të Italisë në vitin 2005 dhe pas negociatash të shumta midis dy ministrive të Drejtësisë të të dyja vendeve, u soll në Greqi për të zbatuar dënimin prej 7 vjetësh që kishte marrë për trafik lëndësh narkotike në vitin 1988. Gjithashtu, ndaj tij rëndonin edhe akuza spiunazhi dhe bashkëpunim në veprime mafioze. Po kështu, mbi të ka pasur edhe akuza se ka ndërmjetësuar me autoritetet greke për transferimin në Janinë të rreth 30 miliardë dhrahmive të firmës piramidale VEFA dhe të 5 miliardë të kompanisë "Cenaj".

Hetimet

Parlamenti grek dhe piramidat shqiptare

Parlamenti grek ka rijetuar disa herë dosjen e piramidave shqiptare gjatë viteve ‘94-‘98, si dhe lidhjet e mundshme të shtetasve grekë me këto piramida. Në emrat më të lakuar rezultojnë Apostolis Vavilis. Mësohet se janë thirrur me cilësinë e dëshmitarit krerët e shërbimeve inteligjente greke gjatë viteve 1993-2000. Sipas parlamentarëve grekë, kjo gjë u realizua për të hetuar që në fillesat e deri në përfundimin e plotë të tij, fenomenin e piramidave shqiptare. Hetimet u fokusuan në lidhjet e bosëve të piramidave shqiptare me struktura shtetërore greke. Mësohet se gjatë fazës së parë të investigimit të këtyre piramidave prej drejtësisë helene, rezultoi implikimi i një numri qytetarësh grekë në shërbim të skemave piramidale shqiptare. Por, prokuroria greke vendosi të mbyllë hetimin për fajdet shqiptare, edhe pse për të shmangur këtë, drejt Athinës udhëtoi vetë kreu i akuzës shqiptare, Theodhori Sollaku, i cili i dorëzoi homologut të tij, Dhimitris Linos, fakte lidhur me implikimin e këtyre shtetasve grekë në të paktën tre prej piramidave më të mëdha në vend, VEFA, "Gjallica" dhe "Cenaj". Në hetim ishte informacioni lidhur me transportin e shumës 5.6 miliardë dhrahmi, ose 16 milionë euro kesh prej vetë Alimuçës në vitin 1996, të cilat janë depozituar në bankën kombëtare greke në Janinë dhe që nuk u dorëzuan kurrë pranë autoriteteve shqiptare, të cilat i kanë kërkuar disa herë. Hetimet e drejtësisë greke u përqendruan edhe në implikimin e një shtetasi grek me detyrë të lartë diplomatike për llogari të Italisë në qytetin e Janinës, Kristo Siontis. Ky person rezulton të ketë tërhequr prej firmës piramidale "Gjallica" shumën prej 2 milionë USD, të cilën nuk e ka kthyer në arkën e kësaj firme. Mësohet se gjatë fazës përgatitore u thirrën nga Parlamenti grek edhe drejtues të financave greke lidhur me mënyrën e blerjes prej kompanisë VEFA dhe firmës tjetër piramidale "Cenaj", të disa pronave, ku midis të tjerash figuron vila luksoze në lagjen rezidenciale "Ekali" të Atikës prej Flora Cicos, bashkëshortes së bosit të VEFA-s, Vehbi Alimuçaj, kundrejt shumës prej 400 milionë dhrahmi. Kjo vilë u ble në vitin 1996 falë ndërmjetësimit të Apostolis Vavilis. Kjo vilë tashmë është shitur, edhe pse prokuroria urdhëroi bllokimin e të gjitha veprimeve për shitje ose dhënie me qira të këtij objekti.

VEFA
Problemi i VEFA-s qëndron me një kontrate shitblerjeje, ku shoqëria VEFA ka paguar kesh në dorë dy milion USD, blerjen e një kompleksi turistik të shoqërisë "Poseidon" që ndodhet në jug të Athinës, në brigjet e Pireut

Cenaj
Lefter Cenaj është ndaluar nga policia e prokuroria greke dhe është dënuar nga gjykata greke me pesë vjet burg për veprën penale të "pastrimit të parave". Atij i janë sekuestruar një shumë prej rreth tetë milionë USD

Gjallica
Firma "Sabo" është kontraktuar nga ana e shoqërisë "Gjallica" për ndërtimin e fabrikës së tullave në Vlorë dhe për këtë arsye janë dhënë kesh 2 milionë USD. Edhe firmës "Siontis" i janë dhënë tre milionë e gjysmë USD

Propozimi
Grupi mbikëqyrës i firmave piramidale do t‘i propozojë qeverisë të bëjë një ankand, ku të ftohet një studio ligjore e specializuar në këtë fushë, mundësisht jo greke, e cila të marrë përsipër kthimin e këtyre parave

Deklarata
Kreu i firmës piramidale "Cenaj", Lefter Cenaj, i jep të drejtë shtetit shqiptar që të veprojë ligjërisht për të marrë paratë e tij që ndodhen në bankat greke. Me një prokurorë autorizon drejtësinë shqiptarë të veprojë ligjërisht

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›