Basha: Bashkia përgjegjëse për krijimin e getove në Tiranë
Kandidati për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, ishte dje në Laprakë, më konkretisht në skajet e kësaj lagjeje të kryeqytetit, e cila është edhe një ndër zonat më të varfra të qytetit. Gjatë takimeve me banorët dhe gjatë ecjes që bëri në këtë njësi Bashkiake, Basha u njoh me problematikën e mprehtë të Laprakës, që ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës, të asistencës sociale, të punësimit dhe të hapësirave për çlodhje dhe argëtim. Kandidati Basha u shpreh se arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është mungesa e vëmendjes dhe mosdëgjimi i halleve dhe problemeve të qytetarëve.
“Zotohem para jush se do ta shoh qytetin për qytetarin dhe jo për politikën. Në qoftë se është politika e para ja se çfarë ndodh, ja si diskriminohen qytetarët në këto geto”, u shpreh Basha. Shumë prej banorëve u shprehën se nuk e kanë parë dhe nuk e kanë takuar asnjëherë kryetarin e Bashkisë. “Unë të kam dëgjuar në televizor, kur the se do të kesh takime me popullin çdo të premte, unë do të vij të takoj në zyrë”, iu drejtua Bashës një i moshuar. Një grup banorësh i kërkuan kandidatit për kryebashkiak që të rregullojë çështjen e rrugës, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve. Gjithashtu, ata kërkuan më shumë siguri pasi jetojnë pranë shinave të trenit. “Treni këtu ka marrë shumë jetë njerëzish”, i tha Bashës një banor. Gjatë vizitës që pati tek një bllok barakash të Laprakës, banorët që jetonin aty i kërkuan Lulzim Bashës më shumë vëmendje për hallet e tyre. “Askush nuk ka ardhur ndonjëherë të na shohë, ti je i pari”, u shpreh një grua, duke i treguar Bashës nevojën e saj për asistencë sociale.