E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, mbytet në ujrat e lumit Vjosa vdes turistja çeke

PËRMET- Një turiste çeke humbi jetën sot në ujërat e lumit Vjosë.
Burime zyrtare nga drejtoria e policise e qarkut të Gjirokastrës bënë të ditur se gjatë ditës së sotme një grup turistësh nga Çekia prej 8 vetesh kane qënë duke vozitur në ujrat e lumit Vjosë, duke praktikuar sportin e kanoes.

Të ndarë në tre varka turistët janë nisur nga fshati Petran për të vozitur në drejtim të qytetit të Këlcyrës. Ndërkohë bëhet e ditur se varka e tretë, ku vozitnin një çift turistësh, pranë vendit të quajtur "Fushat e fshatit Kuqar", është përmbysur si pasojë e një dallge dhe është përplasur pas një shkëmbi.

Përplasja ka qenë fatale pasi 34- vjeçarja Mikaela Jonukova ka mbetur poshtë rrjedhës së ujit në guvën e një shpellë dhe vetëm pas dhjetë minutash është bërë e mundur nxjerrja e trupit të saj të pajetë nga turistët e tjerë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Përmetit që po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që bën me dije se nuk ka turistë të tjerë të lënduar.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›